Shërbimi i mamografisë së lëvizshme në të gjithë vendin

Në kuadër të Tetorit Rozë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron shërbimin e mamografisë së lëvizshme në të gjithë vendin.

Kryerja e mamografisë ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe më shumë akses për gratë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Kabinetet e mamografisë në institucionet shëndetësore publike, gjatë muajit tetor do ta ofrojnë ekzaminimin e mamografisë së gjirit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu është shprehur se trajtimi i grave me kancer gjiri ka ndryshuar në këto vite, duke rritur jetëgjatësinë.

“Nëse deri para pak vitesh nuk mendohej trajtimi me imunoterapi, me terapi të targetuar kundër kancerit të gjirit, sot jo vetëm që është e mundur, po është e mundur edhe për çdo grua dhe është falas, me terapi të shtrenjta të cilat i kanë mundësuar grave të jetojnë gjatë dhe të shërohen nga kanceri. Kemi dyfishuar buxhetin për terapitë në Shërbimin Onkologjik”, tha ministrja.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Në Shqipëri gjatë vitit të fundit u diagnostikuan 714 gra me kancer gjiri. Janë më shumë se 5,000 gra që sot jetojnë me kancer gjiri në vendin tonë. Të dhënat tregojnë se ka një trend në ulje të vdekshmërisë së standardizuar, që lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe kryesisht me trajtimin e sëmundjes./ (17 tetor 2022)

Kabinetet e kimioterapisë në spitalet rajonale

Në Spitalin Rajonal të Beratit u hap për herë të parë Njësia e Kemioterapisë, për trajtimin e tumoreve afër vendbanimit.

Ky shërbim i ri zgjeron hartën e Njësive të Kemioterapisë në spitale, për të shmangur vajtjen deri në Tiranë të grave që vuajnë nga kanceri i gjirit, por edhe për trajtimin e tumoreve të tjera.

 “Çdo shërbim që ne jemi duke hapur i shkon kësaj strategjie, strategjisë së ofrimit të shërbimeve afër vendbanimit” , deklaroi Manastirliu.

Gjatë këtyre viteve Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka mundësuar që në gjashtë spitale rajonale të hapen kabinetet e kemioterapisë.

Shërbimi i Kemioterapisë në Berat i shtohet gjashtë kabineteve të kemioterapisë në spitalet rajonale në Durrës, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë, Elbasan duke u garantuar qytetarëve ndjekjen e terapisë së trajtimit të sëmundjeve tumorale, afër vendbanimit./ (15 tetor 2022)

Paketë të plotë shërbimesh në luftën ndaj kancerit

Qeveria ka trefishuar buxhetin përsa i përket buxhetit për barnat e sëmundjeve tumorale.

“Prej 2013-ës kemi pesëfishuar buxhetin për barnat në tërësi dhe sigurisht po vijojmë që nëpërmjet instrumetave, mekanizmave për negociata me kompanitë multinacionale edhe për medikamentet e shtrenjta, edhe për medikamentet, të cilat janë fjalë e fundit, pra janë inovatore, ne të kemi mundësi që të ofrojmë një gamë të gjerë të terapive të mjekimit”, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

Qeveria shqiptare ka miratuar në vitin 2020 një program kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit, për të garantuar që çdo grua të kryejë periodikisht kontrollin e gjirit, duke garantuar një paketë të plotë shërbimesh që nis nga informimi, këshillimi, në qendrat shëndetësore  tek ekzaminimi i mamografisë në poliklinika, spitale dhe përmes njësive të mamografëve të lëvizshëm si dhe shërbimet e konfirmimit të diagnozës dhe trajtimit në Qendrën Universitare ‘Nënë Tereza’ por edhe në spitalet rajonale, me njësitë e kemioterapisë.

Të dhënat tregojnë se ka një trend në ulje të vdekshmërisë së stadardizuar që lidhet me diagnostikimin e hershëm dhe kryesisht me trajtimin e sëmundjes./ (13 tetor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.