Adis Abeba/Mogadisho/Nairobi – Ministrja për çështje të jashtme dhe evropiane Tanja Fajon përfundoi sot një turne shumëditor në Afrikë, gjatë të cilit vizitoi Etiopinë, Somalinë dhe Keninë. Në Adis Adeba të Etiopisë, ajo u takua të shtunën me zëvendës kryetaren e Unionit Afrikan Monique Nsanzabaganwa. Në bisedimet e tyre theksuan rëndësinë e bashkëpunimit midis Unionit Afrikan dhe shteteve anëtare të BE-së, sidomos në fushën e paqes, sigurisë, ndryshimeve klimatike dhe respektimit të të drejtave të njeriut.
Fajon si përfaqësuesja e parë nga Sllovenia më pas vizitoi Somalinë. Ajo bisedoi me kryeministrin Hamza Abdi Barre për situatën në vend dhe rajonin më të gjerë si dhe për operacionet ndërkombëtare në mbështetje të paqes. Fajon theksoi se zgjatja e operacioneve të Kombeve të Bashkuara dhe Unionit Afrikan në mbështetje të luftës kundër terrorizmit dhe përmirësimit të kapaciteteve dhe stabilitetit është e domosdoshme për Somalinë dhe rajonin më të gjerë. Ajo theksoi gjithashtu se Sllovenia vazhdon të mbështesë operacionet detare të BE-së për sigurinë në Detin e Kuq, për shkak të sulmeve të Huthitëve. Me Barre dhe në shoqërinë e drejtueses së delegacionit të BE-së në Somali, Karin Johansson, Fajon bisedoi gjithashtu për mundësitë e ndihmës sllovene për Somalinë përmes Qendrës për Trajnimin e Personelit të Operacioneve Paqeruajtëse.
Në Kenia të hënën, Fajon me ministrin e jashtëm të atij vendi Musalija Mudavadi përveç bashkëpunimit me Slloveninë, diskutoi për domosdoshmërinë e përpjekjeve për paqe dhe siguri në rajonet e Bririt Afrikan dhe Liqeneve të mëdha. Fajon përshëndeti rolin stabilizues të Kenisë në Sudanin e Jugut dhe Haiti, ku forcat keniane janë kyçe në vendosjen e sigurisë. (2, 3 dhe 5 nëntor)