Madrid/Bruksel – Presidenti i Qeverisë së Spanjës, Pedro Sánchez, ka njoftuar këtë të martë se Spanja tashmë ka kërkuar zyrtarisht nga Brukseli ndihmë nga Fondi Evropian i Solidaritetit për të përballuar dëmet e shkaktuara nga DANA teksa kalonte në lindje dhe jug të vendit, edhe pse ai nuk ka saktësuar për çfarë shume.
“Ne kemi kërkuar tashmë zyrtarisht nga Komisioni Evropian ndihmën e Fondit Evropian të Solidaritetit”, ka theksuar Sánchez në konferencë për shtyp në përfundim të Këshillit të Ministrave të Qeverisë spanjolle, në të cilën është miratuar një paketë masash për të ndihmuar zonat e shkatërruara për një shumë totale prej 10,600 milionë euro.
“Siç e di Evropa, Spanja gjithmonë ka qenë një shtet konstruktiv që ka ndihmuar Bashkimin Evropian kur ka qenë e nevojshme. Dhe tani, logjikisht, është momenti që Bashkimi Evropian të na ndihmojë neve”, ka mbrojtur shefi i Qeverisë spanjolle.
Fondi Evropian i Solidaritetit (FES) ka një pjesë deri në 1,144 milionë euro në vit në të cilën mund të bëhet thirrje në raste katastrofash natyrore si ajo shkaktuar nga DANA në Valencian por shpërndarja e saj nuk është e menjëhershme, por mund të shtyhet disa muaj.
Për të aksesuar atë, autoritetet kombëtare të shtetit anëtar të prekur duhet të paraqesin një kërkesë brenda një afati kohor prej 12 javësh nga data e dëmeve të para të shkaktuara nga katastrofa, një hap i parë që tashmë do të kishte bërë qeveria spanjolle.
Pas kësaj, i takon Komisionit Evropian të vlerësojë kërkesën dhe, pasi të jetë pranuar, të propozojë një shumë ndihme në Parlamentin Evropian dhe Këshillin, që duhet ta aprovojnë atë. Shuma e ndihmave përcaktohet në varësi të dëmeve të drejtpërdrejta totale të shkaktuara në lidhje me PBB-në e vendit ose rajonit të prekur dhe, pasi të miratohet, ajo duhet të përdoret brenda një afati kohor prej 18 muaj nga data kur Komisioni shpërndan shumën totale.
Pasi të jetë dhënë ndihma, shteti i prekur është përgjegjës për zbatimin e saj, përfshirë përzgjedhjen e operacioneve dhe auditimin dhe kontrollin e tyre, megjithëse masat emergjente mund të financohen në mënyrë retroaktive që nga dita e parë e katastrofës.
Nga ana tjetër, Sánchez ka njoftuar se Qeveria ka kërkuar nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Europian “aprovimin, me anë të urgjencës, të një rregulloreje të re të quajtur Restore” që do të lejonte “riprogramimin e fondeve të koheziës FEDER dhe FSE+, për të kushtuar një pjesë të këtyre burimeve për të zbutur dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore”.
Presidenti spanjoll i është referuar Fondit Evropian të Zhvillimit Rajonal (FEDER), që për periudhën 2021-2027 ka të përcaktuar një shumë totale prej 226,000 milion euro, dhe Fondit Social Evropian Plus (FSE+), instrumenti kryesor i destinuar për të investuar në njerëzit dhe për të mbështetur zbatimin e shtyllës evropiane të të drejtave sociale dhe i pajisur me një buxhet prej 142,700 milion euro.
Nga ana e saj, Komisioni Evropian i ka ofruar Spanjës më shumë hapësirë fiskale për të përballuar situatën e emergjencës dhe ka kujtuar qeverinë spanjolle se ekziston mundësia e rishpërndarjes së fondeve të Kohezionit si dhe të planit të rikuperimit dhe rezistencës.
“Sa i përket përmbytjeve në Spanjë, Komisioni do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë vend në këtë situatë të vështirë dhe, natyrisht, kjo gjithashtu ndikon në rregulloret fiskale”, ka theksuar nënkryetari ekonomik i Ekzekutivit komunitar, Valdis Dombrovskis.
Politikani Letonez ka kujtuar këtë të martë në konferencë për shtyp se “ekzistojnë dispozita të veçanta për të përballuar situatat emergjente”, si ato që lidhen me fatkeqësitë natyrore apo ngjarje të mëdha që dalin jashtë kontrollit të qeverisë dhe se gjithashtu ekziston mundësia e rishpërndarjes së fondeve evropiane.
“Shërbimet e Komisionit tashmë janë në kontakt me autoritetet spanjolle për të shqyrtuar mundësitë dhe nevojat”, ka shpjeguar Dombrovskis, i cili ka theksuar se gjithashtu veglat fiskale mund të “ndihmojnë Spanjën të përballojë këtë situatë të vështirë”. (5 nëntor)