Buxhet për zbutjen e efekteve të krizës

Buxheti i vitit 2023 i Shqipërisë do të mbështesë me më shumë fonde sektorët prioritarë si energjia, arsimi, shëndetësia, bujqësia apo infrastruktura për të siguruar zbatimin e reformave që po ndërmerren për vijimin e qëndrueshmërisë ekonomike.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, buxheti i propozuar për vitin 2023 është në funksion të zbutjes së efekteve të krizës, mbrojtjes sociale dhe mbajtjes së pandryshuar të çmimit të energjisë elektrike, vijimit të konsolidimit fiskal dhe uljes së stokut të borxhit.

Konkretisht, në projektbuxhet janë planifikuar 205,884 miliardë lekë për mbrojtjen sociale, 52,790 miliardë lekë për strehimin, 69,016 miliardë lekë për arsimin, 6,034 miliardë lekë për mbrojtjen e mjedisit, 82,466 miliardë lekë për çështjet ekonomike dhe 11,500 miliardë lekë për fondin rezervë, kontigjenca e risqeve të borxhit dhe huamarrjes për sektorin elektro-energjetik.

Nga ana tjetër janë 67,291 miliardë lekë të planifikuara për sektorin e shëndetësisë, 118,844 miliardë lekë për shërbimet e përgjithshme publike, 8,150 miliardë lekë për kulturën, 23,920 miliardë lekë për mbrojtjen dhe 39,314 miliardë lekë për rendin dhe sigurinë publike./ (31 tetor 2022)

Totali i të ardhurave arrin në 28,8% të GDP-së

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj ka deklaruar se parashikohet që në vitin 2023 të grumbullohen në buxhet 631,7 miliardë lekë, nga të cilat të ardhurat tatimore llogariten në vlerën 587,8 miliardë lekë dhe, brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat llogariten 431,2 miliardë lekë. 126,5 miliardë lekë do të mblidhen nga kontributet.

Në krahasim me pritshmëritë e vitit 2022, të ardhurat tatimore të buxhetit të shtetit parashikohen të rriten me 7,7%, ndërsa të ardhurat nga tatimet dhe doganat parashikohen me një rritje me 8% ose 42,2 miliardë lekë më shumë.

Bazuar në projeksionet e të ardhurave të vitit 2023, totali i të ardhurave të buxhetit shkon në 28,8% të GDP-së nga 28,2% në vitin 2022, pra një rritje 0,6%. Ndërkohë, të ardhurat tatimore për vitin 2023 parashikohen të zënë 27% të GDP-së nga 26,4% që parashikohen për vitin 2022.

“Konsolidimi i financave publike, rritja e të ardhurave të buxhetit dhe ulja graduale e deficitit buxhetor vazhdojnë të jenë objektivat kryesorë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë”, tha Ibrahimaj./ (27 tetor 2022)

7,0 miliardë lekë për forcimin e sigurisë kibernetike

Në projektbuxhetin e vitit 2023 është parashikuar një fond prej 7,0 miliardë lekësh edhe për forcimin e sigurisë kibernetike dhe rritjen e infrastrukturës digjitale.

Konkretisht, në buxhet planifikohet një fond prej 2,0 miliardë lekësh për mirëmbajtjen e rreth 115 sistemeve qeveritare.

Në kuadër të mbrojtjes dhe sigurisë kibernetike për sistemet dhe infrastrukturën e-gov, do të financohet me 2 miliardë lekë zëri “shpenzime operative”, që lidhet me konsulencën dhe mbështetjen nga kompanitë “Microsoft”, sikundër financohet dhe kontrata me “Jones Group International”.

Qeveria shqiptare ka nënshkruar në janar të këtij vit marrëveshjen me kompaninë amerikane “Jones Group International” për forcimin e sigurisë kibernetike dhe rritjen e infrastrukturës digjitale.

Po ashtu, në projektbuxhet është vendosur dhe fondi prej rreth 3 miliardë lekësh për financimin e kredisë nga Banka Botërore, në kuadër të mbrojtjes së sigurisë kibernetike./ (24 tetor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.