Muzeu Etnografik i Kavajës, qytet në Shqipërinë e Mesme, pas ndërhyrjes restauruese të programit EU4Culture, hapi më në fund dyert për publikun. Muzeu u inaugurua në prani të ambasadorit të Misionit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, ndërsa Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përfaqësohej nga zëvendësministrja Lira Pipa.

Programi EU4Culture solli mjedise tërësisht të restauruara të Muzeut Etnografik të Kavajës, me artefakte të kuruara në çdo detaj, punime unike me terrakota, kostume tradicionale e zeje të pafundme.

Projekti dyvjeçar, me një buxhet që i kalon një milion euro, përfshiu restaurimin e godinës së dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019, si dhe ridizajnimin e muzeut. Vizitorët tani mund të eksplorojnë koleksionin përmes elementëve të rinj multimedialë si muri interaktiv, dhoma veshjeje virtuale, përvoja të realitetit virtual, rrëfime me video dhe audio. Këto risi plotësojnë prezantimet tradicionale të artefakteve duke rritur funksionin e tyre edukativ.

Godina, e ndërtuar në vitin 1800, u shndërrua në një muze në vitin 1971. Sot, muzeu përmban mbi  800 artefakte të llojeve të ndryshme, secili duke kontribuar në misionin e tij edukativ. Koleksioni u ofron vizitorëve një dritare autentike mbi jetën e përditshme të brezave të kaluar, duke dokumentuar rutinat e tyre, festat familjare dhe mbledhjet e komunitetit.

Kryetari i Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, u shpreh se muzeu do të pasurojë ofertën turistike të këtij qyteti me një ndër “hot spotet” më të bukura të trashëgimisë kulturore të botës shqiptare.

Qosja shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Bashkimit Evropian e përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, punonjësve të Bashkisë Kavajë si dhe të gjithë ekspertëve, specialistëve dhe nëpunësve që u përfshinë e punuan natë e ditë për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm.

Muzeu nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës; është një hapësirë e gjallë për komunitetin, duke shfaqur mjeshtërisht pasurinë e trashëgiminë kulturore të Shqipërisë.

“Duke bërë bashkë historianë vendas, artizanë dhe ekspertë ndërkombëtarë, në partneritet me UNOPS, po ndërtojmë një urë lidhëse midis historisë dhe së ardhmes së vendit. Krenar që qëndrojmë krah Shqipërisë në nderimin e trashëgimisë së saj dhe bashkimin e komuniteteve”, u shpreh me këtë rast ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato. (15 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.