Këshilli i Lartë i Prokurorisë, në bashkëpunim me programin EU4Justice diskutoi përgjatë dy ditëve në Tiranë mbi prioritetet kryesore të Planit Strategjik të KLP-së, për vitet 2025-2030.

Ky aktivitet mblodhi së bashku anëtarët e Këshillit, profesionistë dhe aktorë kyç të sistemit si Prokurorin e Përgjithshëm, drejtues të zyrave të Prokurorise së SPAK, Prokurorisë Tiranë, Durrës, Fier, Berat, Elbasan, Dibër, Kukës, Shkodër dhe Gjirokastër, strukturën drejtuese të administratës së Këshillit, përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, si dhe dy ekspertët e ftuar nga programi i asistencës Arturo Valdés Trapote dhe Francesco de Sanctis.

Drejtuesja e KLP-së Mirela Bogdani u shpreh se hartimi i këtij plani do të shërbejë si një instrument për të përmbushur me eficencë detyrimet kushtetuese, ligjore si dhe pritshmëritë që ka publiku në procesin e menaxhimit të sistemit të prokurorisë, duke i përshtatur ato me standardet ndërkombëtare.

“Me mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të programit EU4Justice, kemi një mundësi të veçantë për të rritur kapacitetet tona”, theksoi ajo.

Diskutimet dhe konkluzionet e nxjerra shënuan një hap thelbësor drejt ruajtjes së standardeve të larta të profesionalizmit dhe integritetit, si dhe konsolidimit të sistemit të prokurorisë.

Angazhimi i programit EU4Justice ritheksoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit për të lehtësuar transformimet e sistemit të prokurorisë. (18 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.