Përfundojnë pallatet e reja në Shijak
Qeveria shqiptare përfundoi me sukses procesin e rindërtimit në bashkinë e Shijakut, 30 kilometra në perëndim të Tiranës, që u godit më rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit 2019.
Tërmeti, me magnitudë 6,2 ballë të shkallës Rihter dhe me epiqendër në Shijak, shkaktoi vdekjen e 51 personave. Programi i Rindërtimit në këtë bashki siguroi strehimin e 637 familjeve.
Ky program ofroi edhe bonus qiraje për familjet e pastreha.
Në një ceremoni me karakter simbolik, kryeministri shqiptar Edi Rama ishte në këtë bashki, në një prej ditëve të shorteut publik për 31 pallatet e reja.
Përmes një shorti publik u përcaktua edhe apartamenti dhe kati i banimit për çdo familje.
Deri tani në këtë bashki janë strehuar në shtëpi të rikonstruktuara 802 familje.
Ndërkohë, ka përfunduar edhe rikonstruksioni i 27 pallateve, sipas nivelit të dëmit./ (10 nëntor 2022)
Shtëpi falas për të prekurit nga tërmeti
637 familje të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 hynë në shtëpinë e tyre të re në bashkinë e Shijakut.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se “ky është programi i parë i rindërtimit në zonat e goditura nga tërmeti që bëhet me financimin e qeverisë dhe që iu garanton të gjithë të prekurve apartamente falas”.
Qytetarët që do të marrin banesat e reja me tapi, mund t’i shesin ato ose t’i japin me qira.
“Me përfundimin edhe të infrastrukturës mbitokësore si edhe vënien në shfrytëzim të njësive të shërbimit, kjo lagje do të jetë shëmbëlltyra e Shijakut të rilindur”, theksoi Rama.
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku tha se “punimet e infrastrukturës, që zënë rreth 13% të vëllimit të punimeve, pritet të përfundojnë brenda muajit dhjetor të këtij viti”.
Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana tha se 82,5% e familjeve kanë përfituar më tepër sipërfaqe banimi sesa ajo që kishin para tërmetit.
Në 31 pallatet e lagjes së re, 12,000 m2 janë njësi shërbimi./ (9 nëntor 2022)
Objekte arsimore të ringritura nga themelet
Programi i Rindërtimit ka kompletuar transformimin urban të Shijakut edhe me objekte arsimore, kopshte dhe shkolla.
Kryeministri Rama vizitoi një prej kopshteve, një godinë e re tri katëshe prej 405 m2, e ndërtuar nga fillimi, me kushte shumë të mira në shërbim të 110 fëmijëve të komunitetit.
Të gjitha këto objekte arsimore janë ndërtuar sipas standardeve të BE-së.
Programi i Rindërtimit përfshiu mbi 11,000 apartamente dhe mbi 4,000 shtëpi të reja, mbi 37,000 banesa të rikonstruktuara dhe 168 shkolla, kopshte e çerdhe./ (8 nëntor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.