“`html
Shkup – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi sot do të zhvillojë një vizitë pune në Parlamentin Evropian në Bruksel, ku do të takohet me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Gjatë vizitës, siç njofton shërbimi për shtyp i Kuvendit, parashikohen takime edhe me Thomas Waitz, raportues për Maqedoninë e Veriut në PE dhe me Tijs Rutten, raportues në hije nga grupi politik i socialdemokratëve.
Sipas agjendës, nesër, me iniciativë të Departamentit të Diplomacisë Publike në NATO, do të organizohet një vizitë pune në selinë e NATO për Gashin dhe delegacionin nga deputetët, në përbërje të të cilit janë koordinatorë të VMRO-DPMNE, Nikola Micevski, koordinator i LSDM Oliver Spasovski, zëvendës-koordinatore e VREDI Merita Kolçi-Kođaziku, zëvendës-koordinatore e BDI Arbana Pasoli, përfaqësuesi nga ZNAM Pavle Arsoski dhe shefi i Delegacionit të Kuvendit në KD NATO Dragan Kovaçki.
Paraprihet një takim me mbajtësin e detyrës së zëvendës-sekretarit të përgjithshëm të NATO, Boris Ruge dhe brifingje me përfaqësues të lartë zyrtarë të NATO nga Departamenti për Çështje Politike dhe Siguri dhe nga Departamenti i Diplomacisë Publike.
Vizitat e punës së Gashit në këto dy institucione të rëndësishme ndërkombëtare, siç thuhet në komunikatë, janë me qëllim që përfaqësuesit e lartë zyrtarë të PE dhe NATO të informohen autentikisht për zhvillimet aktuale politike dhe shoqërore në vend, në kontekstin e integrimit evropian të vendit dhe detyrimet që burojnë nga anëtarësimi ynë në NATO.
Delegacioni ynë do të ketë mundësinë të njihet edhe me pikëpamjet dhe qëndrimet e bashkëbiseduesve të tij për gjendjen aktuale dhe sfidat e ardhshme të PE dhe NATO, në kontekstin e politikës së zgjerimit, pritjet e vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe për pikëpamjet e NATO në dritën e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe më gjerë. (18 nëntor)
“`