Shqipëria një hap më pranë BE-së

Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet dhe është bërë anëtare me të drejta të plota në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile.

Kërkesa për anëtarësim u dorëzua nga kryeministri Edi Rama, në qershor të këtij viti.

Marrëveshja për anëtarësim në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civil u firmos në Tiranë nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç.

Kryeministri Edi Rama tha se “falë kësaj marrëveshjeje çdo fatkeqësi natyrore e jona është njëkohësisht fatkeqësi natyrore e Bashkimit Evropian, e cila vë menjëherë në lëvizje mekanizmin e mbrojtjes europiane duke angazhuar për Shqipërinë mjete, njerëz e fonde për përballimin e emergjencave.”

Rama nënvizoi se “sot jemi një hap më pranë BE-së dhe BE-ja është një hap më afër nesh, në një rrugë që tanimë bëhet çdo ditë e më e përbashkët”./ (21 nëntor 2022)

Masa për Mbrojtjen Civile në Ballkan dhe BE

Pas firmosjes së marrëveshjes në ambientet e Kryeministrisë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi vlerësoi në konferencën e përbashkët me Komisionerin Evropian, Lenarçiç, mbështetjen që Mekanizimi Evropian i Mbrojtjes Civile i ka dhënë Shqipërisë.

Peleshi tha se “Mekanizmi Evropian ka qenë  pranë nesh në ditë të vështira të Emergjencave Civile, fatkeqësive natyrore, të cilat kulmuan në nëntor të vitit 2019, me tërmetin dramatik që goditi Shqipërinë.”

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ministri tha se “Shqipëria tashmë merr pjesë në këtë Mekanizëm jo thjesht si përfituese, por edhe si kontributore në tryezat ku përgatiten politikat, masat, aktet e Mbrojtjes Civile për të gjithë hapësirën e Ballkanit dhe e BE-së.”

Ministri  Peleshi ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve dhe me këtë anëtarësim përfiton shumë.

Nga ana e tij, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiç u shpreh se marrëveshja është një hap kyç përpara në procesin historik drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, por edhe për mbrojtjen dhe sigurinë.

Ai theksoi se ky hap vjen në një kohë vendimtare kur rreziqet natyrore janë më të shpeshta dhe më intensive.

“Një fatkeqësi mund të godasë kudo dhe në çdo kohë dhe sistemet tona të reagimit ndaj krizave duhet të jenë gati për t’i bërë ballë pasojave të ndryshimeve klimatike,” deklaroi ai./ (21 nëntor 2022)

Trajnimet dhe certifikime të ekipeve shqiptare

Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi e ka konsideruar një hap të madh këtë anëtarësim të Shqipërisë duke theksuar se “ky mekanizëm ndihmon në përgatitjen dhe parandalimin e katastrofave pasi bashkon ekspertizën e shumë vendeve.”

“Në momente fatkeqësish, mund të mbështeteni në ndihmën e shumë njerëzve. Ky mekanizëm ka të bëjë me solidaritetin e vërtetë që ndihmon në përgatitjen dhe parandalimin e katastrofave pasi bashkon ekspertizën”, deklaroi Varhelyi.

Me firmosjen e kësaj marrëveshje Shqipëria merr statusin e vendit pjesëmarrës në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. 

Anëtarësimi në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile mundëson forcimin e kapaciteteve, arritjen e standardeve të duhura në teknologji, mjete dhe pajisje bashkëkohore, trajnime dhe çertifikime të ekipeve shqiptare, të cilat do të ndërveprojnë me ekipet evropiane në raste fatkeqësish natyrore dhe atyre të shkaktuara nga dora e njeriut./ (21 nëntor 2022)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.