Xhubleta në UNESCO dhuratë në 110-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
Pas isopolifonisë, xhubleta është trashëgimia e radhës jomateriale shqiptare që merret në mbrojtje nga UNESCO. Xhubleta, që daton 4,000 vjet përpara, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit.
Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, në mbledhjen e mbajtur më 29 nëntor në Marok, vendosi që xhubleta të jetë pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit.
Veshja e malësoreve, e punuar me shajak në katër liq, zbukuruar me fije spiku të zi, me siluetën e kambanës së valëzuar, me gjatësinë nën gju, qëndisur me simbole që komunikojnë lidhjen me fenë, atdhedashurinë dhe sqimën ndaj të bukurës, ka ardhur si si një amanet deri në ditët e sotme për t’u njohur dhe ruajtur nga të gjithë brezat, ashtu sikurse Butrinti, Berati, Gjirokastra, Liqeni i Ohrit dhe Isopolifonia.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi këtë ngjarje si kryelajm të kulturës shqiptare për vitin 2022.
Ministrja nënvizoi se “ne nuk lejuam që xhubleta të mbetej thjesht një relike e të kaluarës dhe me përfshirjen në këtë listë ajo do të ketë jo vetëm mbështetjen e institucioneve shqiptare, por edhe atyre ndërkombëtare, që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri të gjithë njerëzimit”.
Kryeministri Edi Rama e konsideroi këtë vendim si “lajmin më të bukur në 110-vjetorin e pavarësisë”.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim tha se “xhubleta është një nga fustanet më të bukur në botë dhe se është e mrekullueshme të shohësh trashëgiminë kulturore të njohur, të mbrojtur dhe të promovuar”./ (29 nëntor)
Xhubleta, aftësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit
Xhubleta është një veshje e punuar me dorë, e veshur nga gratë dhe vajzat në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar e ziles. Kryesisht e zeza me motive shumëngjyrëshe të qëndisura, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit. Ajo tregonte statusin social dhe ekonomik të mbajtësit.
Megjithatë, përdorimi dhe prodhimi i saj ka qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike.
Politikat e reja të vendosura nga sistemi socialist në vitet 1960 ndryshuan modelet tradicionale kulturore duke sjellë ndryshime në jetën e përditshme të komuniteteve malore dhe përdorimin dhe prodhimin e xhubletës.
Duke qenë se gratë duhej të punonin në kooperativat socialiste bujqësore, xhubleta nuk ishte më praktike për jetën e përditshme. Për më tepër, kolektivizimi çoi në mungesën e lëndëve të para për prodhimin e saj.
Sot, pak gra kanë njohuri për të gjithë procesin dhe transmetimi tradicional i bazuar në familje është i rrallë. Megjithatë, veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor./ (30 nëntor)
Në UNESCO edhe “Eposi i Kreshnikëve” dhe “Kcimi i Tropojës”
Ministria e Kulturës e Shqipërisë është duke përgatitur dosjen për “Eposin e Kreshnikëve”, në mënyrë që edhe ai të jetë trashëgimi kulturore botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s.
Ministrja Elva Margariti tha se “Eposi i Kreshnikëve” është ambicia tjetër e radhës.
“Patjetër që është një punë e madhe”, është shprehur ministrja.
Ajo ka theksuar gjithashtu se “Kcimi i Tropojës” është përgatitur tashmë dhe dosja është futur në radhët e pritjes për t’u shqyrtuar.
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore ka deklaruar se ekziston tashmë edhe një regjistër i trashëgimisë kulturore jomateriale, në të cilin janë të regjistruara 90 asete dhe se ka shpresë që në UNESCO të regjistrohen sa më shumë prej tyre./ (1 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.