Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi se Shqipëria është vendi i parë që transferon legjislacionin e Bashkimit Europian në kuadër të negociatave, përmes modelit të inteligjencës artificiale.
I pranishëm në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, Kryeministri renditi disa nga fushat në të cilat Shqipëria ka përparuar falë përdorimit të inteligjencës artificiale.
Në këtë drejtim, Rama tha se vendi po bën progres në integrimin në BE, konkretisht në fazën e negociatave për anëtarësim, falë edhe një instrumenti krejt të ri të papërdorur në asnjë shtet tjetër më parë.
“Kjo nuk ka ndodhur as nga shtetet që sot negociojnë anëtarësimin. Është një model i ndërtuar prej nesh përmes inteligjencës artificiale. Ky model na jep mundësinë që të realizojmë në një kohë shumë më të shpejtë se më parë vendet e tjera të gjithë procesin e transferimit të gjithë trupit legjislativ të BE-së, përkthimin në kohë rekord, por edhe të kemi analiza të teksteve për ato aspekte që na interesojnë lidhur me impaktin e këtyre ligjeve të reja që duhen transferuar në trupin legjislativ të Shqipërisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se bëhet fjalë për mijëra dokumente. Më parë ritmi i punës lidhur me këtë lloj legjislacioni ishte rreth 60 pjesë në vit, kur bëhet fjalë për 4 mijë pjesë. Nga këto shifra duket se procesi do të ishte shumë i gjatë dhe do të duheshin një armatë e tërë me përkthyes, draftues dhe korrektues.
Shqipëria hapi më 15 tetor të këtij viti negociatat për grupkapitullin e parë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian që u mbajt në Luksemburg. Shqipëria aspiron anëtarësimin prej vitit 2003 kur së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, u identifikua si një kandidate e mundshme për anëtarësim në BE gjatë samitit të Këshillit Evropian të Selanikut në qershor 2003. (10 dhjetor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.