Në Shqipëri, “Java e Integritetit” u përcoll me aktivitete të shumta, ndërsa Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin organizoi tryeza të hapura debati sikundër edhe u prezantua platforma “Transparent Albania”.

Kjo iniciativë e re e qeverisë shqiptare ka për qëllim rritjen e transparencës në shpenzimet buxhetore duke i ofruar qytetarëve, organizatave dhe medias akses më lehtë dhe më të shpejtë në informacionet shtetërore.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë në prezantimin e platformës ndërsa theksoi se integriteti do të thotë të bësh gjënë e duhur, jo se mund të jetë gjëja më e lehtë për të bërë, por sepse është zgjedhja e duhur për të bërë dhe në përputhje me ligjin.

“Ambasadori Gonzato tha se “ajo që është shumë e rëndësishme është që integriteti nuk ka të bëjë vetëm me administratën publike, por duhet të lulëzojë edhe në sektorin privat. Më vjen mirë që shoh që kemi biznese të njohura dhe shoqata biznesesh që kanë mbështetur dhe kanë marrë pjesë në Javën e Integritetit”, u shpreh ai.

“Meqenëse fola për etikën, vlerat, parimet, integritetin dhe përgjegjësinë këto jo vetëm që po bëhen praktika të përhershme në komunitetin e biznesit, por janë në fakt kërkesë e vërtetë e qytetarëve, sepse korrupsioni dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore jo vetëm që i çon këto burime për përfitim tek vetëm pak vetë, por edhe minon besimin tek institucionet, dëmton reputacionin, por sjell edhe mungesë efikasiteti në sistem dhe pengon suksesin në të ardhmen”, theksoi Gonzato.

Po ashtu Gonzato u shpreh se duhet investim për edukimin e brezave të rinj, rëndësinë e mirëqeverisjes dhe transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit.

Kryeministri shqiptar Edi Rama u ndal në rolin që do të luajë platforma “Transparent Albania” për të luftuar fluksin e dezinformimit, qoftë ky i qëllimshëm, apo i paqëllimshëm.

Duke pasur parasysh edhe shkallën e lartë të digjitalizimit të qeverisjes, apo sistemin e bashkëqeverisjes, Rama u shpreh se ekziston një bazë më shumë se sa e mjaftueshme për të pretenduar që “Transparent Albania” të bëhet pasqyra kuptimplotë dhe e prekshme nga çdokush e një Shqipërie që të meritojë plotësisht anëtarësimin në BE. (16 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.