Mbi tetë miliardë lekë për qytetarët
Në vigjilje të Vitit të Ri 2023, Këshilli i Ministrave miratoi paketën e re mbështetëse për një milion qytetarë në të gjithë vendin.
Duke e konsideruar si “Pako e Madhe” në vigjilje të ndërrimit të viteve, kryeministri Edi Rama e cilësoi paketën antiinflacion si lehtësim të ndjeshëm për daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar duke zeruar efektin e inflacionit mbi konsumin bazë.
Kryeministri tha se, kjo mbështetje synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.
Pakoja e Madhe parashikon mbi tetë miliardë lekë dhe të gjithë individët e përfshirë do kanë përfituar atë që në ditët e para të janarit.
Rama është shprehur se kjo pako e madhe nuk zgjidh të gjitha hallet, as nuk i jep fund luftës në Ukrainë dhe impaktit të saj të pashmangshëm mbi ekonominë tonë, por së bashku me subvencionin masiv të çmimit të palëvizur të energjisë, zmbraps një dimër që përndryshe do të ishte jo i lehtë, si edhe mishëron kujdesin dhe vëmendjen e pandarë të qeverisë ndaj qytetarëve.
“Kjo është qeveria e shumicës, jo e disave dhe faktet e shifrat thonë se volumi i mbështetjes financiare të atyre që fitojnë më pak apo të shtresave në nevojë, në vitet e qeverisjes sonë (pa llogaritur fondet masive të Rindërtimit pas tërmetit apo të Luftës me pandeminë) është disafish më i lartë se sa në tërë qeveritë e mëparshme të marra së bashku”, tha Rama./ (6 janar)
Kategoritë që përfitojnë nga mbështetja e qeverisë
Pakoja e madhe përfshin 8 000 lekë për çdo pensionist që do t’i përfitojnë ato në muajin janar. Kjo nuk është mbështetja e fundit ekstra për pensionistët në vitin 2023. Qeveria shqiptare parashikoi në politikat e saj fiskale që pensionistët do të jenë përfituesit e parë nga taksa e jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë.
Qeveria mbështeti me 20 000 lekë punonjësit e administratës që përfitojnë një pagë bruto nën 60 000 lekë. Përfitues do të jenë sanitarët, shoferët, punonjësit e shërbimeve mbështetëse të shtetit etj. Në këtë kategori përfshihen 27 249 vetë; 1 181 zjarrfikës, 3 267 infermierë, 6 045 mësuese dhe edukatore, 2 200 ushtarë bazë dhe mijëra nëpunës të shkallëve të ulëta të administratës. Me këtë mbështetje ekstra, familjet e tyre s’do ta ndjejnë dimrin me shqetësimin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre të përditshëm. Pakoja përfshin edhe ata me pagë bruto mbi 600 000 lekë – duke përjashtuar nivelet politike të administratës. Janë 11 000 infermierë, 5 411 mjekë, 30 693 mësues dhe edukatorë, 15 384 punonjës sigurie, punonjës të policisë së burgjeve si dhe 14 318 nëpunës që do të marrin nga 10 mijë lekë.
Efektivët e Forcave të Këmbësorisë të vlerësuar edhe me certifikatën si forcë ekselence e NATO-s, do të jenë përfitues të Pakos së Madhe të mbështetur në shumën 20 mijë lekë.
Gjithashtu Këshilli i Ministrave mbështeti po me të njëjtën pagesë efektivët e Forcave Speciale Delta, Renea, Ndërhyrja e Shpejtë, Njësia Operacionale apo Zjarrëfikësit./ (6 janar)
Mbështetje grave kryefamiljare me ndihmë ekonomike
6 700 nëna kryefamiljare që aktualisht përfitojnë ndihmë ekonomike, do të kenë shtesë 20 000 lekë. Përmes Pakos së Madhe, Këshilli i Ministrave mbështeti këtë kategori me qëllim lehtësimin e barrës ekonomike në këto momente ku ndihet në të gjitha vendet pasojat e inflacionit të luftës.
Kjo nuk është e vetmja mbështetje për nënat në 2023.
Prej 1 janarit nënat me tre e më shumë fëmijë, do të përfitojnë nga politika e re e mbështetjes për nënat e papuna me fëmijë nën 18-vjeç, të cilave do t’i garantohen sigurimet shëndetësore dhe shoqërore nga shteti për 5 vitet e para të fëmijës.
Ky program planifikon të financohet në vlerën 600 milionë lekë. Kjo është një nismë e iniciuar nga anketimi përmes Këshillimit Kombëtar, për mbështetjen e nënave me tre e më shumë fëmijë./ (6 janar)
Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
