Rehabilitim 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave

Investimet e reja në shëndetësinë shqiptare do të vijojnë me ritëm më të lartë përgjatë vitit 2023, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një analizë të punës së institucionit që drejton dhe prioriteteve të këtij viti.

Kështu, pritet të vijojë programi i rehabilitimit të qendrave shëndetësore, të cilat janë të amortizuara apo edhe të papajisura me aparate mjekësore duke i bërë ato funksionale për komunitetet më të largëta në veri dhe në jug të vendit.

Për vitin 2023, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garanton “rehabilitimin edhe të 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave”.

Investime të reja madhore të këtij viti në Shëndetësi do të jenë edhe rehabilitimi i Spitalit Rajonal Kukës, rindërtimi i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” apo rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut./ (12 janar)

Pajisje te reja biomjekësore në spitalet rajonale dhe poliklinika

Investimet në Shëndetësi kanë sjellë përmirësim në pajisjen e spitaleve dhe qendrave shëndetësore në funksion të rritjes së shërbimit për popullatën. Kështu, së fundmi, 18 spitale dhe poliklinika në vend janë pasuruar me pajisje te reja biomjekësore dhe skanera, të cilat rrisin gamën e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe me teknologji të fjalës së fundit.

Disa përmirësime të tjera janë pajisja me angiografi të re e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”në kryeqytet, ndërsa katër spitale rajonale kanë përfituar aparatura të fjalës së fundit për okulistiken dhe për matjen e densimetrisë kockore.

Po ashtu, urgjencës paraspitalore i është shtuar një flotë e re prej 20 autoambulancash të reja, të cilat kanë rritur cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit shëndetësor.

Investimet në strukturat spitalore, aparatura dhe teknologji jane prioritete edhe për këtë vit./ (10 janar)

Punësim i 335 mjekëve të përgjithshëm e specialistë

Të paktën 335 mjekë të përgjithshëm e specialistë janë punësuar në sistemin shëndetësor shqiptar, duke plotësuar nevojat për më shumë shërbime në spitale rajonale e bashkiake.

100 mjekë specialistë janë atashuar pranë spitaleve ndërsa 950 infermierë e teknikë të shkencave mjekësore janë punësuar brenda sistemit shtetëror.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale premtoi se ky vit do të ketë programe specifike në mbështetjen për të tërhequr mjekët të kthehen në Shqipëri.

Po ashtu vëmendje po u kushtohet edhe mjekëve dhe infermierëve të rinj që përfundojnë studimet në vend. Mbi 1800 kuota të hapura specializimesh pranë Universitetit të Mjekësisë janë planifikuar të atashohen në sistemin publik shëndetësor.

Ndërkohë, ka vijuar politika e rritjes së pagave për personelin shëndetësor të të gjitha niveleve./ (9 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.