Produktet “Made in Albania gjithnjë e më të kërkuara”

Vitet e fundit në Shqipëri, produktet tradicionale po njihen e po kërkohen gjithnjë e më shumë nga konsumatorët, ndërsa autoritetet e Bujqësisë dhe Ushqimit kanë shtuar politikat mbështetëse për gjetjen e tregjeve të reja në rajon, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian, duke u kujdesur që fermerët të mbështetjen në arritjen e standardeve të kërkuara.

Për më tepër, zhvillimi i agroturizmit si një trend i qëndrueshëm  në Shqipëri ka ndikimin e vet në promovimin e produkteve tradicionale, duke krijuar një lidhje natyrore midis agroturizmit, fermave turistike dhe prodhuesve vendas.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prezantoi së fundmi, certifikimin e katër produkteve të para të prodhimeve të origjinës, të cilat rrisin e mbrojnë markën “Made in Albania”.

Produktet cilësore, të cilat prodhohen në një territor të caktuar apo me anë të një metode tradicionale, janë në themelin e përpjekjeve të kësaj ministrie për të forcuar qëndrueshmërinë ekonomike të fermave në zonat rurale. Katër produkteve të para që janë regjistruar si dhe kanë kaluar procesin e verifikimit të përputhshmërisë me karakteristikat e produktit,  iu mundësohet vendosja e logos kombëtare dhe prezantimi në treg.

Këto produkte janë: Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Këlmendit”, (Emërtim Origjinë e Mbrojtur); Mjalti i Bedunicës, Përmet (Specialitet Tradicional i Garantuar); Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (Specialitet Tradicional i Garantuar); Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (Specialitet Tradicional i Garantuar)./ (26 janar)

Produktet tradicionale të kërkuara në treg

Analizat ekonomike në Shqipëri tregojnë se konsumatorët janë të gatshëm që të paguajnë 30-50% më shumë për produktet që vijnë nga një zonë e identifikuar për cilësinë e veçantë të prodhimeve. Për produkte specifike si mjalti kjo diferencë në çmim është edhe më e lartë. Ndërkohë, mbrojtja dhe certifikimi markave shqiptare merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se këto produkte përfaqësojnë një pjesë të traditës dhe identitetit kombëtar.

Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural prej vitesh tashmë është punuar intensivisht dhe cilësisht për hartimin e bazës ligjore në përputhje më rregulloret e BE-së, lidhur me skemat e cilësisë së produkteve bujqësore dhe ushqimore, që garantojnë, cilësinë e produktit, lidhjen me mjedisin gjeografik dhe origjinën, si dhe ruajtjen e traditës. Për më shumë me anë të sistemit të gjurmueshmërisë së produktit, lidhja me origjinën dhe mjedisin gjeografik dhe tradita në përzgjedhjen e produktit, rrisin garancinë për konsumatorin shqiptar si dhe nxisin fuqimisht bashkimin e fermerëve prodhues, rrisin punësimin e të rinjve, fuqizojnë cilësisht eksportet si dhe rivitalizojnë traditën e hershme të prodhimit dhe përpunimit në Shqipëri./ (26 janar)

40 produkte potenciale, të identifikuara

Deri më tani, me mbështetjen e projekteve të financuara nga Qeveria Gjermane me anë të GIZ, nga FAO dhe nga qeveria zvicerane, por veçanërisht falë punës së palodhur të fermerëve shqiptarë të organizuar në grupe prodhuesish, janë identifikuar rreth 40 produkte potenciale, në të gjithë territorin e vendit. MBZHR thotë se  po punohet edhe me me produktet e tjera si: vaji “Valm”, vaj i prodhuar me ullinjtë autoktonë të zonës së Elbasanit, një model i krijimit dhe funksionimit të bashkimit të prodhuesve; vaji i Ullirit të zonës së Tiranës, me ullinjtë autoktonë të zonës, një tjetër model suksesi i bashkimit dhe promovimit të produkteve të zonës, nga vëllezërit Allgjata, vaj ulliri “Kalinjot”, ullinjtë autoktonë të Vlorës, molla e Dvoranit, si një produkt me emërtim origjine të mbrojtur, në bashkëpunim me shoqatën ADAD Malore, kumbulla e thatë e Dibrës, Glikotë e Përmetit, Domatja e Shëngjergjit apo Gjeli i Detit i Baldushkut/ (24 janar)

Cilat janë produktet e certifikuara “Made in Albania” për tregjet e Bashkimit Evropian?

1 – Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit”, Vermosh, Kelmend është përdorur me këtë emër për më shumë se 100 vjet, por mendohet që ka një histori edhe më të hershme. Është një produkt që përdoret për të respektuar mikun dhe për t’u ndjerë krenarë, i lidhur me traditën blegtorale të zonës dhe pozitën gjeografike, me temperatura të përshtatshme për ruajtje. Kullotat e Kelmendit janë të tipit alpin e subalpine me lartësi 1500 – 2400 m, mbi nivelin e detit, me specie kryesore gramore.

2 – Mjalti i Bedunicës, Përmet (STG). Është lulja e Bedunicës, aq e rrallë, që ndodhet me shumicë në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, ajo që e bën këtë mjaltë kaq të veçantë me aromën, shijen dhe veçoritë e tij të rralla. Lulja e Bedunicës, është e vetmja lule (në periudhën gusht dhe shtator), që rritet në malin e Teprit, Gostivisht, Përmet në rreth 1500m mbi nivelin e detit. Mjalti ka ngjyrë të verdhë në të gjelbër, me një aromë të fortë dhe konsistencë të trashë që lidhet me përqindjen e ulët të lagështisë, rreth 16%.

3 – Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (STG) “Djathi i ziem” është një traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut, dhe që vazhdon të prodhohet edhe sot në sasi të kufizuar. Termi “i Ziem” është i lidhur me karakterin specifik të përgatitjes së tij, një një gatim i veçantë që është trashëguar gojarisht brez pas brezi. Prodhohet nga qumështi i lopës i grumbulluar në zonën përreth Malësisë së Madhe: Kastrat, Shkrel dhe Kelmendi i Poshtëm.Në llojin e tij më tradicional, produkti duhet të jetë marrë nga qumësht lope i sapomjelë, që vjen i papërpunuar në punishte. Karakteristikat specifike të djathit janë struktura e tij e butë dhe elastike, si edhe shija delikate e pak e athët.

4 – Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (STG) prodhohet nga qumështi i freskët i dhive të Bulacit, të grumbulluar nga barinjtë që i mbajnë dhitë në bjeshkët e Runjës, gjë që i jep një aromë të veçantë të qumështit të bjeshkëve, si rezultat i sistemit kullosor dushk, shkozë, kullotat alpine dhe mënyrës tradicionale të përpunimit. Historia e prodhimit të djathit fillon 60-70 vjet më parë nga gjyshja e familjes Voka, që e grumbullonte dhe përpunonte qumështin direkt në bjeshkët e Runjës. Prodhimi i djathit fillon nga muaji maj deri në mes të tetorit duke përpunuar qumështin e grumbulluar (dallohet për rrezen e lartë rreth 15 kg/kv). Djathi ka ngjyrë të bardhë, të njëtrajtshme dhe aromën e këndshme karakteristike të qumështit të dhisë nga bjeshkët./ (23 janar)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.