Bashkimi Evropian ka qenë një mbështetës i fortë dhe i palëkundur i reformës në drejtësi në Shqipëri, që u miratua me mbështetjen e të gjitha partive politike në vitin 2016.

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato mori pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian ku informoi se BE po vijon monitorimin e kësaj reforme dhe zbatimin e saj duke u siguruar që të gjitha standardet kushtetuese e ligjore jo vetëm të ekzistojnë, por edhe aplikohen siç duhet.

Ai kërkoi bashkërendim nga të gjitha institucionet e drejtësisë me synim që t’i jepet drejtësi qytetarëve dhe të rritet besimi i tyre tek drejtësia.

Gonzato vuri në dukje se “ka disa çështje që kërkojnë edhe vëmendjen tonë i kemi sqaruar edhe në raportin tonë të analizës së legjislacionit si edhe në udhërrëfyes”.

Efikasiteti i gjyqësorit vazhdon të mbetet sfida kryesore sepse çështjet e mbartura në gjykata kërkojnë veprim të menjëhershëm.

BE ka sjellë edhe rekomandime si dhe nevojën për një udhërrëfyes se si të ulet numri i këtyre çështjeve të prapambetura duke pasur parasysh edhe një rishikim nga homologë të BE-së në lidhje edhe me efikasitetin e drejtësisë.

Gonzato u ndal edhe tek roli i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian në Shqipëri, duke vënë në dukje se negociatat për anëtarësim në BE, të bëhen të qarta edhe për publikun.

Në fund të nëntorit Shqipëria dhe BE përfunduan procesin e analizës se legjislacionit siç njihet ndryshe screening dhe u mbuluan të gjitha fushat e legjislacionit të BE-së.

“Objektivi ynë i përbashkët tani është çelja e grup-kapitujve të çështjeve thelbësore sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Gonzato./ (15 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.