Kompanitë fituese të ankandit

Tre shoqëritë e kualifikuara në fazën finale për ndërtimin e parqeve eolike, Verbund AG (austriake), Total Eren SA dhe KMV shpk (franceze dhe shqiptare), Guris Insaat ve Muhebdislik As & Mogan Energji Yatirim Holding As (turke) & BRD Energy shpk (shqiptare) u shpallën fituese në ankandin e parë të mbajtur në Tiranë.

Verbund AG me një kapacitet 72.6 MW ofroi çmimin 74,95 euro për MWh.

Total Eren SA dhe KMV shpk me një kapacitet 75 MW ofroi një çmim prej 44.88 euro për MWh.

Guris Insaat ve Muhebdislik As & Mogan Energji Yatirim Holding As (turke) & BRD Energy shpk me një kapacitet 75 MW ofroi një çmim prej 74 euro për MWh.

Tre kompanitë kanë plotësuar kapacitetin në megavat, duke dhënë në total 222 MW dhe si rrjedhojë tri shoqëritë shpallen fituese të ankandit.

Zëvendëkryeministrja Belinda Balluku e konsideroi një arritje të madhe, nisur edhe nga situata globale, pasi energjia më 31 gusht të vitit të shkuar arriti në 1 042 euro për MWh.

“Sot ne kemi siguruar një megavat me një çmim mesatar 50 euro”, shtoi ajo.

Në garën për ndërtimin e parqeve eolike morën pjesë 14 kompani kombëtare dhe ndërkombëtare./ (24 korrik)

Burimet energjetike në përputhje me axhendën e gjelbër të BE

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku ka theksuar se ankandi për ndërtimin e parqeve eolike i hapur 25 muaj më parë është ndjekur nga ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ata të BERZH-it.

Për herë të parë, investimi duhet të merrte parasysh edhe gjetjen e tokës.

Sipas saj, pjesëmarrja në këtë proces konkurrues lejohej për kapacitete minimale 10 MWh dhe kapacitete maksimale 75 MWh.

Balluku ka nënvizuar se procesi i ndërtimit të parqeve eolike është një hallkë shumë e rëndësishme e sistemit energjetik, tashmë të mirënjohur në të gjithë Evropën, jo vetëm në Ballkan, për prodhimin 100 % nga burime të rinovueshme, por të bazuar kryesisht, mbi 99%, në burimet hidro.

Tashmë dy nga ankandet shtetërore me fituese kompania franceze “Voltalia” janë në ndërtim e sipër, mbi 50 MW janë të përfunduara dhe vazhdon ndërtimi i parkut të parë, i cili do të përfundojë me 140 MWh.

“Këtij gjerdani të sektorit të energjetikës i shtohet edhe ky kapacitet eolik, i mbështetur me çmim të subvencionuar nga shteti”, tha Balluku.

Balluku informoi se shumë projekte të tjera në fushën energjetike vazhdojnë të ecin me ritme të mira, siç është procesi për hidrocentralin e Skavicës apo rivitalizimi i TEC-it të Vlorës, apo tubi i transmetimit që do të shtrihet nga porti i Vlorës deri në daljen e TAP-it, apo gazifikimi i Korçës, për të cilin tha se po punohet prej kohësh me një nga partnerët më të fuqishëm, “SOCAR”, kompaninë që është pjesë e konsorsiumit të TAP.

Sipas saj, këto përpjekje kanë si synim për të krijuar një prodhim të ri energjetik të shtuar me 4 Terravat deri në fund të vitit 2030 dhe kur këto burime energjetike përputhen plotësisht me axhendën e gjelbër të Bashkimit Evropian./ (24 korrik)

BERZH mbështetje për ndërtimin e parqeve eolike

Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri, ka deklaruar se Shqipëria ende ka rekordin për çmimin më të mirë të energjisë diellore në Ballkanin Perëndimor.

Në ceremoninë e ankandit të parë për shpalljen e kompanive fituese për ndërtimin e parqeve eolike, Solovova tha se gjatë rrugëtimit pesëvjeçar, kanë parë një qeveri të angazhuar për të arritur objektivat.

Sipas saj, sekreti i suksesit të Shqipërisë është në angazhimin e vet në të gjithë procesin dhe rrugëtimin dhe ankand pas ankandi kanë parë interes të konsiderueshëm nga kompani të huaja dhe vendase.

Ajo theksoi se BERZH po e ndihmon qeverinë shqiptare në diversifikimin e burimeve të energjisë, pasi prodhimi i energjisë vjen pothuajse 100% nga hidro.

“Kjo e bën të cenueshme nga ndryshimet klimatike dhe e detyron atë të blejë energji me çmime të larta gjatë sezonit të thatë”, u shpreh përfaqësuesja e BERZH-it.

BERZH ka mobilizuar rreth 100 milionë euro në financimin tregtar në parkun fotovoltaik në Karavasta, që po ndërtohet nga kompania franceze “Voltalia”.

Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber deklaroi se vendi i saj mbështet prej tre dekadash Shqipërinë për zbatimin e reformës në sektorin energjetik.

Këto reforma, sipas saj, kanë ndikuar në përmirësimin e kapaciteteve prodhuese dhe përmirësimin e sigurisë së digave./ (25 korrik)

Kjo përmbledhje është një përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij botimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.