Vjenë – Austrisë renditet e dyta për numrin më të lartë të punës me kohë të pjesshme ndër të 27 shtetet e BE-së. Në tremujorin e parë të vitit 2024, 31,8 për qind e të gjithë të punësuarve në vend punonin me kohë të pjesshme. Austria radhitej pas Holandës me 43,7 për qind dhe përpara Gjermanisë (30,6 për qind) dhe Danimarkës (27,7 për qind) në vendin e dytë, njoftoi Statistik Austria të enjten. Përqindja më e ulët e punës me kohë të pjesshme është në Bullgari (1,8 për qind), Rumani (3,1 për qind) dhe Kroaci (4,1 për qind).
Mbi bazën e anketës së mikrozensusit për fuqinë punëtore, Statistik Austria ka llogaritur tashmë përqindjen e punës me kohë të pjesshme për tremujorin e dytë të vitit 2024 në Austri, ndërsa për shtetet e tjera të BE-së ende nuk kishte të dhëna të reja. Për periudhën prill deri në qershor, 1,098 milion ose 51,6 për qind e të gjithë grave të punësuara kanë deklaruar se punonin me kohë të pjesshme. Ndër burrat, këtë tremujor të dytë, 329.000 burra ose 13,9 për qind ishin të punësuar me kohë të pjesshme. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, përqindja e punës me kohë të pjesshme sipas Statistik Austria, u rrit me 0,5 pikë përqindje tek burrat dhe me 1,0 pikë përqindje tek gratë. Para 30 vitesh, përqindja e puneve me kohë të pjesshme për gratë në Republikën Alpine ishte vetëm 26 për qind dhe për burrat vetëm 4 për qind.
Për t’u dhënë më shumë mundësi profesionale nënave dhe baballarëve që janë me leje lindjeje ose punojnë me kohë të pjesshme, partnerët socialë kanë kërkuar prej vitesh një zgjerim të ndjeshëm të kujdesit për fëmijët e vegjël dhe ato shkollore në Austri. Qeveria në Vjenë ka premtuar 50.000 vende shtesë deri në vitin 2030. Afërsisht 60 për qind e vendeve aktuale në kopshtet për fëmijët e moshës 3-5 vjeç janë në përputhje me një punësim të plotë, sipas raportit të dytë të monitorimit të statistikave të Austrisë për arsimin elementar të publikuar në gusht. (05.09.2024)