Në Tiranë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së grantit të dhënë nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian për programin e sigurt dhe të qëndrueshëm të transportit, i administruar nga BB.

Granti u nënshkrua në kuadër të samitit “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE-së”, mbajtur në kryeqytetin shqiptar.

Në ceremoninë e rastit, drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, Valentina Superti, theksoi se fondi prej 54 milionë euro do të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe hekurudhore, rritjen e kapaciteteve teknike, digjitalizimin e sistemeve dhe zgjerimin e korsive.

Ky grant shkon përveç financimit të mëparshëm, duke e çuar totalin e mbështetjes së BE-së në 134 milionë euro që nga viti 2023.

“Ky fond tregon rëndësinë që i kushton Bashkimi Evropian këtij programi dhe do të lehtësojë qarkullimin në pikat kufitare, duke nxitur tregtinë rajonale” tha përfaqësuesja e Komisionit Evropian.

Xiaoqing Yu, drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor shprehu optimizëm për bashkëpunimin me BE-në dhe u theksua se ky grant i ri është një shenjë e angazhimit për zhvillimin e transportit në Ballkanin Perëndimor.

Sipas saj, kjo është vetëm nisma e parë, ndërsa janë parashikuar edhe projekte të tjera për përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve të transportit rajonal.

Programi Lehtësimi i Transportit 2 është një shembull konkret i mbështetjes së rajonit dhe integrimit të tij në BE, duke synuar një rrjet transporti më të sigurt, digjital dhe efikas për të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Samiti “Plani i Rritjes – Rruga jonë drejt BE-së” që u mbajt në Tiranë mblodhi bashkë liderë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Në samit u zhvilluan diskutime për mënyrat se si mund të përshpejtohet zbatimi i Planit të Rritjes të BE dhe si ky proces mund të kthehet në një histori suksesi për qytetarët e Ballkanit Perëndimor. (25 nëntor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.