Rama: Flamuri më i rëndësishëm duhet të jetë ai i BE-së

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e cilësoi shumë të rëndësishëm takimin e Shkupit, ndërsa theksoi se koordinimi teknik është shumë i rëndësishëm dhe ministrat e integrimeve të 6 vendeve duhet të kenë mesazh të qartë nga liderët se duhet ta harrojnë historinë.

“Duhet të jenë daltonikë për historinë. Duhet të harroni cila ngjyrë është flamuri i vendeve tona. Flamuri më i rëndësishëm duhet të jetë flamuri i BE-së. Duhet të ulen dhe teknikisht të diskutojnë detajet që ta realizojmë këtë. Por, ministrat duhet ta harrojnë historinë, ngjyrat dhe të mbajnë mend se kemi vetëm një ngjyrë, ngjyra e flamurit të BE-së, nëse duam ta realizojmë këtë dhe nuk duam ta humbim këtë mundësi”, tha Rama.

“Ndjehemi të gatshëm të punojmë me të gjithë dhe të ndihmojmë të gjithë. Të bëjmë presion për të gjithë që ta përfundojmë këtë punë, pasi nëse e bëjmë do të jetë diçka e madhe për njerëzit tanë, për shtetet tona, për të gjithë ne”, tha Rama./ (25 janar)

Koopman: Rritje e bashkëpunimit, së pari integrim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor

Plani i rritjes i ofruar nga Bashkimi Evropianë për vendet e Ballkanit Perëndimor ka në fokus integrimin e tregut të Ballkanit Perëndimor, si një treg i vetëm në tregun evropian, theksoi Gert Jan Koopman, drejtori i Komisionit Evropianë për Fqinjësinë dhe Zgjerim.

I pranishëm në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE” në Shkup, Koopman bëri thirrje për rritje të bashkëpunimit, pasi duhet fillimisht të ketë integrim mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më tej integrim në tregun e familjes evropiane.

“Sot shohim planin e përbashkët rajonal në suazat e planit për rritjen, si mundësi kyçe për të dyfishuar ekonominë dhe zhvillimit të rajonit në tërësi. Nga këqyrja që kemi patur ne si BE, tregjet e vendeve aspiruese janë rritur menjëherë pas hyrjes në BE, madje ka vende që rritjen e kanë pasur dhe trefish”, theksoi ai./ (25 janar)

O’Brien: Asnjë vend nuk mund ta bllokojë një vend tjetër në këtë proces

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien i cili mori pjesë në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” në Shkup u shpreh se SHBA i mbështet aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE.

Ai theksoi se asnjë vend nuk mund ta bllokojë një vend tjetër në këtë proces, përndryshe do të përballet me pasoja.

“Në këtë proces askush nuk do të bllokojë dikë tjetër. Nuk ka të drejtë për veto. Askush nuk do ta pengojë procesin për avancim, për shkak se nuk ka çështje dypalëshe të pazgjidhura. Kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja. Nëse ndonjë shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”, tha O’Brien./ (25 janar)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.