Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës nisën zyrtarisht programin “Mbështetje për Ciklin Zgjedhor në Shqipëri (SECA)” – një nismë trevjeçare që synon forcimin e integritetit, gjithëpërfshirjes dhe transparencës së zgjedhjeve në Shqipëri, duke mbështetur reformat kyçe të vendit në kuadër të grup-kapitullit të pare, themelet e procesit të anëtarësimit në BE.
SECA do të mbështesë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe aktorët kombëtarë në forcimin e pavarësisë institucionale, depolitizimit, standardeve profesionale dhe qëndrueshmërisë digjitale të proceseve zgjedhore në Shqipëri. Veprimi gjithashtu mbështet përpjekjet gjithëpërfshirëse të reformës, të bazuara në prova, të udhëzuara nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias – duke siguruar transparencë, kushte të barabarta dhe besimin e qytetarëve te institucionet demokratike.
Në ceremoninë e lançimit të projektit, ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato së bashku me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi folën për piketat mbi të cilat duhet vijuar puna për reformën zgjedhore.
“Reforma zgjedhore nuk ka të bëjë vetëm me rregullime teknike; ajo është një hap thelbësor për të forcuar besimin e qytetarëve te institucionet demokratike dhe, rrjedhimisht, në rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”, u shpreh Gonzato, sipas të cilit krijimi i Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Reformën Zgjedhore tregon se ekziston një vetëdije për nevojën për t’u përballur me sfidat e së shkuarës dhe për të forcuar integritetin e procesit zgjedhor.
“BE-ja i mirëpret këto hapa dhe inkurajon të gjitha palët të ndjekin një proces reforme gjithëpërfshirës dhe të bazuar në prova, të udhëzuar nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias. Puna e komisionit duhet të përqendrohet në cilësinë e procesit dhe të rezultatit – kjo kërkon kohë dhe lidership”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Përfaqësues të KQZ-së, Parlamentit, qeverisë, shoqërisë civile, medias dhe partnerëve ndërkombëtarë riafirmuan angazhimin e përbashkët për zgjedhje të besueshme dhe transparente.
Bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, dhe zbatuar nga Këshilli i Evropës në bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, projekti SECA do të kontribuojë në përparimin e qeverisjes demokratike dhe përshtatjen e mëtejshme me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi theksoi se ky është momenti që “në mënyrë serioze KQZ, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës dhe partnerë të tjerë, të punojë për trajnimin e administratës zgjedhore”.
Celibashi tha se “administrata zgjedhore në Shqipëri, tej çdo përpjekje të bërë, asnjëherë nuk i ka përmbushur pritshmëritë, jo vetëm të aktorëve politike, por së pari, të votuesve shqiptare, për të performuar jo vetëm në mënyrë profesionale, por edhe transparente”. (13 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
