Rritja e partneritetit dhe bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara në reformat kryesore në Shqipëri ishte në fokus të takimit vjetor mes tyre mbajtur në Tiranë në “Europe House”.
Të pranishëm në tryezën e diskutimeve ishin ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, koordinatorja e përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney dhe zyrtarë të tjetër të këtyre institucioneve.
BE dhe OKB diskutuan reformat në lidhje me ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse, mbështetjen e Shqipërisë në modernizimin e ekonomisë së saj, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit, sigurimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
Bashkimi Evropian është donatori më i madh i Shqipërisë në këto fusha. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë u shpreh në një postim në rrjetet sociale në lidhje me takimin se vlerëson partneritetin me agjencitë e OKB-së në zbatimin e disa prej programeve të veta kryesore.
“Në periudhën e ardhshme, së bashku me qeverinë e Shqipërisë, ne duam të sigurojmë që procesi i anëtarësimit në BE të mbetet transparent dhe gjithëpërfshirës, në mënyrë që të gjithë qytetarët të ndjejnë se janë pjesë e tij, duke mos lënë askënd pas”, thuhet në postimin e delegacionit të BE-së në Tiranë. (4 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.