Komiteti vjetor i Monitorimit për zbatimin e fondeve të BE-së në kuadër të Instrumentit për Ndihmë Para-Anëtarësimit (IPA) u mblodh në Tiranë, duke sjellë së bashku përfaqësues të lartë të qeverisë së Shqipërisë, Bashkimit Evropian, shoqërisë civile, shteteve anëtare të BE-së dhe komunitetit diplomatik. Takimi shqyrtoi progresin në programimin e fondeve IPA, si dhe zbatimin e afërsisht 150 projekteve në vazhdim të financuara nga IPA, të cilat mbështesin reformat institucionale që lidhen me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe sjellin përfitime reale për qytetarët.
Komiteti, i bashkëkryesuar nga Eridana Çano, Koordinatore Kombëtare e IPA-s dhe Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC) në Shqipëri dhe Sigrid Brettel, drejtoreshë e Njësisë në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore të Komisionit Evropian (DG ENEST), shqyrtuan rezultatet pozitive të arritura deri më sot dhe diskutuan mbi nevojën për të trajtuar sfidat e vazhdueshme të zbatimit.
Valentina Superti, drejtoresha përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor në DG ENEST, hapi aktivitetin duke iu drejtuar audiencës me lidhje nga interneti. Ajo falënderoi autoritetet shqiptare për partneritetin e tyre dhe përgëzoi progresin e arritur:
“BE-ja mbetet donatori më i madh në Shqipëri me mbi 1.9 miliardë euro ndihmë financiare të ofruara deri tani përmes granteve të para-anëtarësimit që nga viti 2007. Përveç kësaj, grantet dhe kreditë e mbështetura nga BE-ja kanë nxitur investime të përgjithshme të vlerësuara në 4.7 miliardë euro që nga viti 2008. Në vitin 2024, 197 milionë euro fonde IPA u zotuan për të ndihmuar Shqipërinë në fushat e antikorrupsionit, qeverisjes vendore, sigurisë ushqimore, mjedisit, energjisë, ekonomisë dhe shoqërisë digjitale, si dhe punësimit dhe përfshirjes sociale. I inkurajoj autoritetet të vazhdojnë të menaxhojnë fondet e BE-së me zell për ndikim maksimal, duke forcuar strukturat dhe burimet në mënyrë që të menaxhojnë fondet e BE-së në mënyrë të pavarur, si dhe për të ndërtuar kapacitete dhe për të përfunduar gjithë rekrutimin e nevojshëm për t’u përgatitur për anëtarësim”, u shpreh Superti.
Koordinatore Kombëtare e IPA-s në Shqipëri, Eridana Çano theksoi rëndësinë politike të këtij momenti, duke vënë në dukje se Shqipëria tani është më afër BE-së se kurrë më parë:
Në qershor të këtij viti, Shqipëria ratifikoi tre Programe Operacionale të BE-së, sipas të cilave BE-ja u beson institucioneve shqiptare menaxhimin e pavarur të fondeve, përmes të ashtuquajturit modalitet menaxhimi indirekt.
Këto programe përfaqësojnë një investim të përbashkët prej 186 milionë eurosh, nga të cilat 30% të bashkë financuara nga qeveria shqiptare për të mbështetur punësimin e të rinjve, digjitalizimin e shërbimeve publike dhe tranzicionin e energjisë së gjelbër – si dhe për t’i përgatitur institucionet shqiptare për menaxhimin e fondeve të BE-së pas anëtarësimit.
Ndërsa Shqipëria merr pjesë në 13 programe të BE-së – duke përfshirë Erasmus+, Horizon Europe dhe Creative Europe – mbeten boshllëqe të mëdha në kapacitete.
Si një përparësi kyçe identifikuar nga Komiteti është përmirësimi i komunikimit nga ana e autoriteteve shqiptare mbi ndikimin e ndihmës së BE-së – si përmes IPA-s ashtu edhe përmes Planit të Rritjes së BE-së.
Komiteti i ardhshëm i Monitorimit në kuadër të Instrumentit për Reformën dhe Rritjen, i cili do të mbahet në Tiranë në shtator, do të jetë një mundësi e rëndësishme për të komunikuar progresin dhe për të përfshirë një gamë të gjerë palësh të interesuara. (26 qershor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
