Në zonën turistike të Velipojës në qytetin verior të Shqipërisë, Shkodër, rreth 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, do të përmirësohet infrastruktura rrugore, përmes fondeve të kredisë sovrane të BERZH-it, akorduar në kuadër të projektit për përmirësimin e infrastrukturës së turizmit në Shqipëri që po zbatohet prej disa vitesh në Shqipëri.
Projekti “Për infrastrukturën dhe turizmin në Shqipëri” financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një shumë totale prej 40 milionë euro si dhe nga kredia sovrane plotësuese e dhënë nga BERZH për qeverinë e Shqipërisë.
Projekti zhvillohet në bashkinë e Shkodrës dhe është një vazhdim i projektit të urës së re mbi lumin Buna në zonën kufitare Shqipëri-Mali i Zi. Ky projekt do të lidhë urën mbi lumin Buna me rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pikën e kalimit kufitar dhe infrastrukturën ndihmëse.
Ky projekt synon zonën kufitare bregdetare që shtrihet nga vija bregdetare veriore e Shqipërisë, deri në deltën e lumit Buna/Bojana në detin Adriatik.
E gjithë zona përfaqëson një potencial të madh turistik, me destinacione të njohura si Shëngjini dhe Velipoja në anën shqiptare, me plazhe të paeksploruara por të mrekullueshme si Rana e Hedhun, Rrjoll, me laguna, ishuj, kodra, parqe natyrore, lumenj etj dhe Ulqini në Mal të Zi me plazhe të mrekullueshme e të kripura dhe pasuri kulturore./ (5 korrik)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.