BE financon qendrën në ndihmë të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës
Projekti “Konsolidimi i sistemeve për fuqizimin e viktimave në Shqipëri realizoi ndërhyrje në infrastrukturën e qendrës komunitare “Për Familjen” në njësinë administrative Dajç në Shkodër si dhe fuqizimin e kësaj qendre duke ofruar shërbime në ndihmë të grave dhe fëmijëve viktima të dhunës.
Klubi i kauzës sociale në Dajç u inaugurua me praninë e partnerëve të Bashkimit Evropian, autoriteteve vendore dhe shoqërisë civile.
Përmes kësaj qendre synohet që viktimave të dhunës t’iu ofrohen shërbime të integruara të kujdesit social përmes një qasjeje të ndjeshme nga ana gjinore dhe miqësore ndaj fëmijëve, në promovimin e fuqizimit të viktimave dhe në rritjen e aftësive të tyre nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme arsimore dhe punësimit.
Bashkia e Shkodrës përcolli falënderime për Bashkimin Evropian dhe organizatave të mbështura prej tij për punën e palodhshme, të vazhdueshme në Shqipëri në çështjet e dhunës me bazë gjinore./ (7 dhjetor)
Kultura antikorrupsion në kurrikulat e shkollave në Shqipëri
Përhapja e kulturës së ligjshmërisë dhe qytetarisë së përgjegjshme në shkolla si mjet për të parandaluar korrupsionin ishte në fokus të marrëveshjes 3-vjeçare mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ambasadës italiane në Shqipëri.
Marrëveshja që u firmos nga ministrat përkatës dhe ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci mbështet projektin 3-vjeçar që ka të bëjë me përfshirjen në edukimin qytetar edhe të instrumenteve që kanë të bëjnë me ndërgjegjësimin, sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe informacionit që fëmijët duhet të marrin nëpërmjet kurrikulave, leksioneve, seminareve, debateve, mbi çështje që lidhen me fenomene të dëmshme për shoqërinë.
Projekti që ka nisur pilot në disa shkolla të Tiranës tashmë pritet të shtrihet në 12 shkolla në 6 qytete të vendit./ (7 dhjetor)
Projekti i financuar nga BE, promovim turizmit në Vaun e Dejës
Projekti i financuar nga Bashkimi Evropian në bashkinë e Vaut të Dejës në veri të Shqipërisë synon përmirësimin e aksesit të popullsisë në zhvillimin socio-ekonomik dhe mundësi punësimi për komunitetet vulnerabël ndaj kultivimit të kanabisit dhe trafiqeve në këtë zonë.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë njoftoi se projekti që po zbatohet në këtë bashki bazohet në faktin se i pasur me burime natyrore, Vau i Dejës ka potencial turistik.
“Mbështetja jonë është e përqendruar në rritjen e aftësive në turizëm dhe promovim, duke synuar tërheqjen e vëmendjes së turistëve, çeljen e bizneseve miqësorë ndaj mjedisit dhe krijimin e vendeve të punës për komunitetin lokal”, u shpreh delegacioni i BE-së në Tiranë.
Liqenet artificiale të Vaut të Dejës dhe Komanit, rrugë transporti drejt Fierzës, peizazhe natyrore me lugina, pyje, kanione, shpella, male, të pasura me trashëgimi fetare, historike dhe arkeologjike, tradita, kostume, bujqësi dhe kulinari përfaqësojnë një zonë me të gjithë komponentët turistikë, por kanë nevojë të bëhen të dukshme dhe të promovohen si destinacione turistike./ (7 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.