Pas takimit, Rama dhe Ursula von der Leyen zhvilluan një konferencë të përbashkët për median, ku që në fillim u ndalën te samiti i 6 dhjetorit BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Kryeministri Rama theksoi se ”Tirana do të bëhet skena e një ngjarje politike evropiane të dorës së parë më 6 dhjetor”.
Ai e cilësoi si një ngjarje të jashtëzakonshme për Shqipërinë, e para në historinë e saj.
“Tirana u bë në mënyrën më mbresëlënëse skena e një finaleje evropiane në futboll, në fund të gjysmës së parë të vitit, dhe tani bëhet skena e një ngjarje politike evropiane të dorës së parë”, tha Rama.
Presidentja e KE-së vlerësoi se Shqipëria ka pasur një vëmendje shumë të madhe te procesi i integrimit, gjë që ka sjellë edhe nisjen e negociatave.
”Raporti i zgjerimit ka treguar përparimin që po bën Shqipëria”, tha presidentja.
“Po forconi sistemin e së drejtës. Ju keni miratuar dhe masa të reja për të garantuar barazinë dhe gjithëpërfshirjen. Ekonomia juaj është bërë e fortë pas Covid-19. Këto janë arritje në një kohë plot sfida”, theksoi Von Der Leyen.
Sipas saj, është shembullore që të shohim që Shqipëria ka mbrojtur vlerat e rendit ndërkombëtar bazuar në rregullat e Këshillit të Sigurisë të OKB.
Gjithashtu, ajo nënvizoi se samiti i 6 dhjetorit që do të mbahet në Tiranë është i një rëndësie të madhe.
“Unë mendoj që Shqipëria mund të ndihet krenare për arritjet e saj. Nga fjalët dhe veprat qytetarët e Shqipërisë kanë treguar jo vetëm largpamësi, por edhe rezistencë. Më 6 dhjetor do të takohemi sërish në samit dhe do jetë një takim shumë i rëndësishëm”, deklaroi ajo./ (27 tetor 2022)
80 milionë euro grante për Shqipërinë për përballimin e krizës energjetike
Bashkimi Evropian do t’i japë 80 milionë euro grante mbështetje Shqipërisë për sektorin e energjisë elektrike, nisur nga kriza që po kalojnë shtetet si pasojë e luftës në Ukrainë.
Presidentja e KE-së tha nga Tirana se gjithashtu do të jepen 500 milionë euro për modernizimin e infrastrukturës së sistemit energjetik në Ballkan.
“Rusia po shkel rendin ndërkombëtar, të drejtën ndërkombëtare. Rusia po përpiqet ta përdorë energjinë si armë po manipulon tregjet dhe ne të gjithë i ndjemë efektet. Por, fatmirësisht Shqipëria nuk ka varësi nga gazi rus, por natyrisht që energjia elektrike që vjen në Shqipëri ndikohet nga trazirat në treg dhe këto çmime kaq të larta, stratosferike”, deklaroi ajo.
Sipas saj, mbështetja financiare për Shqipërinë do të vijojë për impiantin lundrues diellor, në Vaun e Dejës, modernizimin e hidrocentralit të Fierzës që prodhon një të katërtën e energjisë elektrike në vend si dhe për rinovimin e eficencës energjetike të godinave të Qytetit Studenti të Universitetit të Tiranës.
Ndërsa Kryeministri tha se 460 milionë euro është shuma që Shqipëria ka vendosur deri në fund të vitit për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë./ (27 tetor 2022)
Hekurudha Tiranë-Durrës, gati në pranverën e 2024-ës
Kryeministri Edi Rama, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen inspektuan punimet në kantierin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas-Durrës.
Rama e ka cilësuar një projekt madhor, pjesë e rrjetit hekurudhor evropian, i cili duke nisur nga pranvera e vitit 2024 do të shkurtojë në 12 minuta distancën Tiranë-Rinas dhe në afro 22 minuta kohën e udhëtimit Tiranë-Durrës.
Balluku tha se projekti përfshin 10 stacione të reja treni ndërsa vlera e investimit llogaritet 70 milionë euro i ndarë në dy pjesë, ku 50% janë grante, kurse 50% është kredi me terma të butë e akorduar nga BERZH-i.
Shpejtësia maksimale e udhëtimit do të jetë rreth 120 km/h dhe do të jetë hekurudhë me një sistem të vetëm shinash.
Në kuadër të vizitës në Tiranë, presidentja e KE-së, Von der Leyen u takua edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, i cili vlerësoi angazhimin më të fundit të BE-së për të bashkëfinancuar projektin e rehabilitimit të hekurudhës Vorë-Hani Hotit, me një rëndësi shumë të madhe për lidhjen e Shqipërisë me rrjetin hekurudhor evropian./ (27 tetor 2022)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.