Shqipëria hapi dje në Bruksel në konferencën e shtatë ndërqeveritare me BE grup-kapitullin 5 dhe të fundit të negociatave me Bashkimin Evropian: burimet, bujqësia dhe kohezioni.
Ky grup-kapitull mbulon veçanërisht: bujqësinë dhe peshkimin, sigurinë ushqimore dhe politikat e kohezionit. Hapja e grup-kapitullit të fundit përfaqëson një pikë kthese strategjike, pasi përmbyll formalisht fazën e hapjes së të 33 kapitujve të negociatave brenda një periudhe vetëm njëvjeçare, duke e bërë Shqipërinë një prej vendeve me ecurinë më të shpejtë dhe më koherente në rajon në këtë proces.
Kryeministri Rama, ishte në krye të delegacionit shqiptar, së bashku me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka, ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve përgjegjëse, me një axhendë që synon të përcjellë gatishmërinë, maturinë dhe ambicien e Shqipërisë në fazën e re të negociatave.
Pas përfundimit të punimeve, Kryeministri Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre (Presidenca e radhës e BE-së) mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.
“Zgjerimi është një domosdoshmëri gjeopolitike për BE-në dhe një përparësi kyçe për presidencën daneze. Anëtarësimi i partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor pas përfundimit të reformave të nevojshme është shumë i rëndësishëm. Hapi i sotëm i hapjes së grup-kapitullit të fundit negociues me Shqipërinë tregon angazhimin e vendit për të çuar më tej përpara rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE”, u shpreh Marie Bjerre, ministre e Danimarkës për Çështjet Evropiane.
Komisionerja e Zgjerimit në BE, Martha Kos e vuri theksin tek faktorët e suksesit të vendit.
“Suksesi i Shqipërisë është rezultat i autoriteteve shqiptare me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë për zbatimin e reformave të rëndësishme të BE-së. Dhe është rezultati i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshime dhe i mbështesin këto ndryshime”, tha Kos.
Më tej Kos u shpreh se “reformat e BE-së sjellin ndryshime në sistemin politik, ekonomik po kështu edhe në shoqërinë shqiptare duke e bërë atë vërtet europiane, për rrjedhojë Shqipëria është shembulli më i mirë i fuqisë transformuese të zgjerimit”.
Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi në Bruksel se Shqipëria nuk merr asnjë gjë të mirëqenë në raport me anëtarësimin në Bashkimin Europian, ndërsa siguroi se “do të bëjmë gjithçka që të përmbyllim bisedimet e anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe të hyjmë më pas në fazën e mbështetjes politike e të anëtarësimit të plotë”.
“Sot Shqipëria del me krenari nga kjo fazë e parë, madje me një ndjenjë edhe të madhe përgjegjësie. Ne nuk përfaqësojmë këtu partinë politike apo vetëm një pikëpamje politike. Përfaqësojmë këtu një komb që mbështet si askush tjetër BE-në dhe anëtarësimin në BE”, tha Rama.
Kryeministri shqiptar theksoi se më shumë sesa 90 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin anëtarësimin në BE.
Hapja e grupkapitullit të pestë vjen vjen pas hapjes së grup-kapitullit të parë mbi “Themeloret”, grup-kapitullit të gjashtë mbi “Marrëdhëniet e jashtme”, grup-kapitullit të dytë mbi “Tregun e brendshëm”, grup-kapitullit të tretë mbi “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse” dhe grup-kapitullit të katërt mbi “Agjendën e gjelbër dhe lidhshmërinë e qëndrueshme” në Konferencat e Anëtarësimit me Shqipërinë të mbajtura përkatësisht më 15 tetor 2024, 17 dhjetor 2024, si dhe më 14 prill, 22 maj dhe 16 shtator 2025.
Monitorimi i progresit për përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave.
BE-ja vendosi gjithashtu standarde për mbylljen e përkohshme të kapitujve që i përkasin grup-kapitullit 5. Konferenca e Anëtarësimit do t’i kthehet grup-kapitullit 5 në një çast të përshtatshëm. (18 nëntor)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.
