BE zhvillon trajnime për kultivimin organik të bimëve mjekësore
Sipërfaqet me bimë mjekësore po shtohen nga viti në vit në zonën e Gramshit, rreth 80 kilometra në juglindje të Tiranëa, duke sjellë më shumë të ardhura dhe punësim për shumë familje. Kontribut të rëndësishëm në rritjen e sipërfaqeve të kultivuara jep programi i Bashkimit Ebropian “BE-ja për Barazinë Gjinore në Shqipëri” me anë të të cilit u mbështetën fermeret me filiza, teknologji moderne, trajnime dhe kontrata me më shumë përfitim.
Në projekt, rreth 50 gra u bënë bashkë dhe përfituan kultura të reja me kërkesë dhe vlerë të lartë në tregun ndërkombëtar. Ato përfituan trajnime në kultivimin organik të bimëve, teksa implementuan dhe teknologji të reja, që janë miqësore me mjedisin. Ato arritën të nënshkruajnë kontrata me kompani të huaja duke siguruar të ardhura të konsiderueshme për ekonominë e tyre.
Ekspertët e bujqësisë shprehen se kultivimi i disa lloje bimësh mjekësore i ka dhënë më tepër vlerë ngastrave të vogla të tokës në Gramsh, të cilat nuk sigurojnë rendimente të larta ekonomike me kulturat e tjera bujqësore. Prodhimi i livandës në Gramsh ka një traditë të gjatë dhe teknikat janë të njohura, ndërsa për kalendulën dhe cianin mungonin këto njohuri, teknika të cilët i përfituan fermeret gjatë trajnimeve në terren./ (7 shtator)
BE mbështet pjesëmarrjen e Shqipërisë në nismën “UN Women EXPO Capital Quest”
Ejona Zaimaj, e cila tetë vjet më parë nisi përpjekjen e guximshme për të krijuar fermën e dhive ”Amalthia Farm”, ishte një nga 23 gratë që morën pjesë në iniciativën “UN Women EXPO Capital Quest”, e mbështetur nga Bashkimi Evropian. Ejona po kërkon në mënyrë aktive mundësi për të zgjeruar fushën e saj të punës. Kështu, së bashku me gra të tjera sipërmarrëse nga e gjithë Evropa dhe Azia Qendrore, ajo mori pjesë në kampe trajnimi për të përmirësuar aftësitë e saj të biznesit dhe mori mbikëqyrje të përshtatur nga ekspertë të njohur të investimeve.
Mbështetja e grave në zonat rurale zë një vend të rëndësishëm në programet e BE në Shqipëri. 85 vende raportojnë rezultate të ulëta në fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore nga 114 vendet e përfshira në raportin më të fundit të UN Women dhe United Nations Development Programme (UNDP)
Ndërkaq, Ejona Zaimaj sot është një sipërmarrëse e suksesshme blegtorale dhe bujqësore, me një tufë prej rreth 350 krerësh me dhi nën kujdesin e saj dhe një biznes në zgjerim të bletëve. Pjesëmarrja në platformën virtuale për ndërveprimin mes grave sipërmarrëse e pajisi atë me njohuri të reja për qëndrueshmërinë e biznesit të saj. (7 shtator)
IPARD II financim për teknologjitë e prodhimit të bimëve mjekësore-aromatike
Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA) për Zhvillimin Rural në Shqipëri përfshin edhe financimin për investime në përmirësimin e teknologjisë së prodhimit të bimëve mjekësore – aromatike, përmes instalimit të vaditjes me pika dhe blerjen e agregateve bujqësore. Falë mbështetjes së marrë, fermerët përfitues nga fondet e BE-së kanë rritur tokën e mbjellë me bimë medicinale duke ulur edhe kostot e prodhimit.
Bimët mjekësore dhe aromatike janë një nga zërat e rëndësishëm të eksporteve shqiptare. Industria e Bimëve Mjekësore Aromatike (BMA) mundëson sot punësimin e mbi 100 000 familjeve rurale në zonat e thella të vendit, të cilat sigurojnë të ardhurat kryesore nga aktiviteti i vjeljes dhe grumbullimit të BMA-ve.
Sot Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesore të bimëve mjekësore-aromatike në botë, ndërsa një në pesë familje të zonave malore ka si burim të të ardhurave vjetore bimët aromatike dhe mjekësore si në kultivim ashtu edhe në grumbullimin nga natyra.
Prej vitit 2013 dhe deri në fund të vitit 2022 janë mbështetur më shumë se 1 100 projekte që kanë shtuar sipërfaqen e kultivuar me rreth 2 400 hektarë. Janë mbështetur rreth 16 investime në ndërtim pikash të reja grumbullimi, linjash paketimi dhe tharje të produkteve, linja të seleksionimit, objekte për ruajtjen e produktit në kushte të përshtatshme e tjerë. Autoritetet e bujqësisë në Shqipëri vënë në dukje se investimet e mbështetura në kuadër të programit IPARD II me një vlerë prej 1,5 milionë euro, i kanë dhënë fytyrë të re sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike./ (7 shtator)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.