Deklarimi i parave në kufi, BE mbështet fushatën ndërgjegjësuese në Shqipëri
Policia e Shtetit dhe Doganat e Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Këshillit të Europës dhe Qeverisë Gjermane nisën fushatën ndërgjegjësuese për gjurmimin e transportit të jashtëligjshëm të parave.
Fushata synon informimin e udhëtarëve mbi rregullat për transportimin e parave brenda dhe jashtë. Udhëtarët duhet të deklarojnë shumat mbi 10 000 euro pranë autoriteteve doganore, në momentin e hyrjes ose daljes nga Shqipëria, për të evituar riskun e shkeljes së detyrimeve ligjore në luftën kundër transportimit të jashtëligjshëm dhe pastrimit të parave.
Limiti i vendosur është pjesë e përpjekjeve të Shqipërisë për sigurimin e kufijve shtetërorë, në kuadër të anëtarësimit në BE. Fushata po kryhet përmes posterave informues të vendosur në të gjitha pikat kufitare, si dhe materialeve në mediat sociale./ (18 dhjetor)
BE mbështet qytetarët e Shkodrës me qendrën komunitare
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Bashkia e Shkodrës përuruan qendrën komunitare shumëfunksionale të rinovuar tërësisht “Xixëllonjat”, që u shërben rreth 3 000 qytetarëve.
Ajo përfshin hapësira për të rinjtë, të moshuarit, kujdesin shëndetësor, çerdhet dhe kopshtin e fëmijëve.
“BE mbështet qytetarët e Shkodrës. Kjo qendër multifunksionale do të ofrojë hapësira dhe shërbime të rinovuara për komunitetin lokal, nga më të rinjtë tek më të moshuarit. Ne po punojmë së bashku për të përmirësuar shërbimet publike në të gjithë vendin, veçanërisht tani që Shqipëria hyn në fazën e përshpejtimit të procesit të integrimit dhe anëtarësimit në BE”, tha Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri./ (18 dhjetor)
BE, pjesë e projektit të modernizimit të Muzeut Historik Kombëtar në Shqipëri
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato iu bashkua ministres shqiptare të Kulturës, Elva Margariti për të zbuluar planin e rinovimit të Muzeut Historik Kombëtar.
Falë EU4Culture & UNOPS, pas rinovimit të mozaikut, dizajni i muzeut do të modernizohet plotësisht dhe struktura e tij do të konsolidohet.
“Falë përpjekjeve tona kolektive, muzeu do të kthehet në një magnet për vizitorët nga i gjithë vendi dhe jashtë tij. Lidhja e BE-së me muzeun ikonë të Shqipërisë është një simbol i fuqishëm dhe ne jemi shumë krenarë që jemi pjesë e këtij projekti”, tha ambasadori Gonzato./ (18 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.