Gonzato: BE është një projekt paqeje

Në hapjen e “Ditëve të Kujtesës”, edicioni i IX, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi nevojën për vullnet politik në trajtimin e së shkuarës komuniste.

Ndërsa kujtoi që BE mbështet procesin e kërkimit të të zhdukurve në diktaturë, diplomati tha se edhe politikanët duhet të bëjnë punën e tyre.

“E shkuara formëson të ardhmen e identitetit tonë, ndaj është e rëndësishme të merremi me të shkuarën. Bashkimi Evropian u krijua pas Luftës së  Dytë Botërore, pra BE është projekt paqeje. Drejtësia e llogaridhënia janë të rëndësishme për shërimin e  shoqërisë dhe një demokraci rezistente dhe vendin e Shqipërisë në BE. Por, politikanët duhet të bëjnë punën e tyre, nuk duhet të punojë vetëm shoqëria civile. Politikanët duhet të sigurohen që të ketë një kuadër të duhur ligjor, burime dhe vullnet politik. Ne ndihmojmë për të zhdukurit dhe duhet shumë punë që familjet të mësojnë se çfarë u ka ndodhur të afërmve të tyre”, tha Silvio  Gonzato./ (22 shkurt)

Shqipëria nevojë për më shumë qartësi në kuadrin rregullator në ekonomi

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato theksoi nevojën e nxitjes së një ekonomie konkurruese në Shqipëri gjatë takimit që zhvilloi me Blendi Gonxhen, i cili prej pak kohësh drejton Ministrisë e sapokrijuar të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. 

“Shqipëria ka nevojë për një koordinim më të mirë të politikave ekonomike, më shumë transparencë dhe qartësi në kuadrin rregullator, duke përfshirë politikat e investimeve, dhe një mjedis biznesi miqësor ndaj inovacionit”, u shpreh Gonzato në takim, duke theksuar se kjo do të nxiste konkurrencën.

Gonzato siguroi ministrin Gonxhja për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për reformat e Shqipërisë në fushën e ekonomisë, inovacionit dhe kulturës./ (22 shkurt)

BE, bashkëpunim i ngushtë me OKB për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri shprehu vendosmërinë për të vijuar të punojë ngushtë me misionin e OKB-së  për të mbështetur përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së dhe arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Në takimin e tij të parë me ekipin e OKB-së në Shqipëri, Ambasadori i BE-së, Gonzato theksoi nevojën për të forcuar partneritetin mes dy misioneve për të mirën e qytetarëve shqiptarë duke promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, duke mbrojtur mjedisin dhe trashëgiminë kulturore dhe duke mbështetur reformat ekonomike dhe sociale./ (22 shkurt)

Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.