Siguria kibernetike është një sfidë e përhershme dhe kërcënimet me të cilat përballet Shqipëria vazhdojnë ende.

Bashkimi Evropian po mbështet institucionet shqiptare përkatëse për të forcuar qëndrueshmërinë kibernetike të vendit përmes Akademisë së Qeverisjes Elektronike të Estonisë së bashku me ekspertë të nivelit të lartë nga Holanda, Republika Çeke, Letonia dhe Sllovenia.

Zyrtarë të lartë dhe drejtues të sektorit privat iu bashkuan një ushtrimi të nivelit të lartë të simulimit të një krize kibernetike në Europe House. Mbrojtja e infrastrukturës digjitale kritike kërkon bashkëpunim të zgjeruar ndërinstitucional dhe koordinim sektorial, një sfidë kryesore në përgjigjen ndaj krizave.

E pranishme në ushtrimin e simulimit të krizës kibernetike, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku theksoi se “qeveria shqiptare ka vendosur një fokus të veçantë duke destinuar buxhete të veçanta për zhvillimin e mburojave kibernetike, për zhvillimin e të gjitha hapave që duhet të hidhen në të ardhmen”.

Sipas saj, digjitalizimi i shërbimeve dhe i proceseve të administratës shtetërore ka rritur nivelin e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike. Sulmi i korrikut 2022, vijoi ajo, tregoi fare mirë se çfarë impakti mund të ketë një sulm i mirorganizuar nga aktorë shtetërorë në goditjen e një vendi.

Shqipëria së bashku me partnerët ka arritur të definojmë një “road map” për të arritur një nivel sigurie kibernetike të kënaqshëm, ashtu siç i shkon një vendi europian dhe anëtar të NATO-s./ (8 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.