Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Ministria shqiptare e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe përfaqësinë e Delegacionit Evropian në Tiranë, organizuan Dialogun për Integrimin e Romëve. Në aktivitet merrnin pjesë Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, autoritete qendrore dhe vendore, përfaqësues të trupit diplomatik, organizata ndërkombëtare, shoqërisë civile, studentë dhe aktivistë romë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu evidentoi të dhënat e progres-raportit të vitit 2023 për Shqipërinë, ky vlerësohet se vendi ka bërë progres në rritjen e aksesit të komunitetit rom dhe egjiptian ndaj shërbimeve shëndetësore bazë, përfshirë shërbimet e shëndetit riprodhues.
Ajo nënvizoi se fuqizimi ekonomik dhe punësimi janë kusht për të avancuar në luftën kundër margjinalizimit dhe diskriminimit të komunitetit rom dhe egjiptian.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u ndal tek pengesat që përballojnë komunitetet rome, edhe pse janë anëtarë aktivë të shoqërisë shqiptare. “Ata vazhdojnë të vuajnë nga paragjykimet dhe diskriminimi. Për të përmirësuar këtë situatë, ne kemi nevojë për një angazhim të fortë politik dhe burimet e duhura”, u shpreh Gonzato.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ritheksova mbështetjen e BE-së për Shqipërinë dhe u kërkova autoriteteve shqiptare të zbatojnë Planin Kombëtar të Veprimit për Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve. Ne duhet të bëjmë përparimin e duhur në arsim, punësim, strehim dhe kujdes shëndetësor”, theksoi ai.
Me projektet e shumta, BE-ja kontribuon në mënyrë aktive në këtë drejtim./ (10 prill)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.