Bashkimi Evropian mbështet konsolidimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri në mënyrë që të mos ketë hapa pas.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato mori pjesë, së bashku me autoritete të larta shtetërore dhe atyre të institucioneve të Drejtësisë, në aktivitetin me rastin e Ditës së Drejtësisë.
Mbledhja e përbashkët vjetore e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me rastin e 111-vjetorit të Ditës së Drejtësisë u mbështet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe projekti “EU4Justice”.
Mbledhjen e përshëndeti presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj i cili u shpreh se drejtësia e pavarur është edhe kusht për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri shqiptar i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se shumica parlamentare do të vazhdojë të mbështesë pa rezerva konsolidimin e një sistemi drejtësie të qëndrueshëm që forcon besimin e qytetarëve dhe promovon llogaridhënien dhe integritetin në të gjitha nivelet.
Ambasadori Gonzato vlerësoi arritjet e deritanishme të Reformës në Drejtësi, ndërsa theksoi se “nuk mund të lejojmë që të kemi hapa pas”.
“Arritjet e SPAK duhet të jenë të pakthyeshme. Çfarëdolloj përpjekjeje për të shmangur këto rezultate do të vijnë në kurriz të pritshmërisë që kanë qytetarët”, tha ambasadori Gonzato.
Sipas tij, gjyqësori ka arsye të jetë krenar sot më shumë se kurrë.
Reforma në Drejtësi në Shqipëri nisi 10 vjet më parë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo reformë konsiderohet historike për vendin, ndërsa së fundmi ka pasur goditje të profilit të lartë kundër korrupsionit./ (13 maj)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.