Shqipëria më afër tregut rajonal të energjisë elektrike
Shqipëria hedh hapin e parë konkret në ndërtimin e linjës së transmetimit të tensionit të lartë me Maqedoninë e Veriut.
Falë një granti prej 15,7 milionë euro të BE-së dhe një kredie prej 50 milionë eurosh nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW, ky projekt është tashmë realitet duke i hapur rrugën shkëmbimeve të drejtpërdrejta të energjisë elektrike mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në Shqipëri do të ndërtohen 130 kilometra linja të reja transmetimi.
Kapaciteti i transmetimit të energjisë elektrike do të rritet me 1 500 Mw.
Gjatë ndërtimit do të krijohen mbi 350 vende pune.
Siguria energjetike do të rritet, ndërsa ndikimi do të jetë konkret në integrimin në tregun rajonal të energjisë./ (21 dhjetor)
BE financon më shumë se 125 milionë euro grante për programe të ndryshme energjetike në Shqipëri
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato e cilësoi linjën e transmetimit të tensionit të lartë me Maqedoninë e Veriut si një projekt strategjik për Shqipërinë, rajonin dhe BE-në.
“Ne nxisim një treg të hapur energjie dhe bashkëpunim më të fortë rajonal, kontribuojmë në një treg të unifikuar evropian të energjisë dhe përafrim me synimet klimatike të BE-së”, u shpreh Gonzato.
Sipas tij, linja e re e transmetimit ndihmon kalimin në energji të pastër, duke lehtësuar transmetimin e energjisë së rinovueshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.
BE-ja i ofron Shqipërisë në përgjithësi më shumë se 125 milionë euro grante për programe të ndryshme energjetike, të gjitha të orientuara drejt tranzicionit energjitik.
“Energjia do të mbetet në qendër të bashkëpunimit tonë me Shqipërinë”, tha ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato./ (21 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.