Gonzato: Pasuritë e fituara përmes krimit e korrupsionit u kthehen komuniteteve
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në vizitën në Durrës së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ku panë nga afër se si apartamenti i një zyrtari të lartë ishte kthyer në një qendër sociale.
Gonzato theksoi se “korrupsioni dhe krimi i organizuar grabisin burimet që i përkasin komunitetit”.
“Në Durrës isha dëshmitar se si pasuritë e fituara përmes korrupsionit dhe krimit mund t’i kthehen komuniteteve lokale”, informoi ai.
Kjo sipërmarrje sociale është mundësuar nga projekti TWIST, i financuar nga BE-ja.
Qendra pret krijues të rinj që të mësojnë teknika të reja dhe të prodhojnë art.
Qendra është rezultat i partneritetit mes BE-së, qeverisë shqiptare, bashkisë së Durrësit dhe organizatave shqiptare dhe italiane të shoqërisë civile./ (26 shkurt)
BE: Do ndjekim me vëmendje zbatimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura në Shqipëri
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri vuri në dukje, në një reagim pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, se rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.
Delegacioni i BE theksoi se në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së parashikon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.
“Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, thuhet në reagim./ (26 shkurt)
Komisioni për Çështjet Evropiane rol kryesor në përputhshmërinë e ligjeve shqiptare me BE
Komisioni për Çështjet Evropiane në Kuvendin e Shqipërisë luan një rol kryesor në vlerësimin e projektligjeve nëse përputhen me BE-në dhe në mbikëqyrjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, deklaroi kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato pas takimit që zhvilloi me kryetaren e këtij komisioni, Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike dhe me zëvendëskryetaren Etilda Gjonaj, deputete e Partisë Socialiste.
Zyrtaret shqiptare thanë në takim se Komisioni po përgatitet të luajë rolin e tij të plotë në hapat e ardhshëm të procesit të negociatave të anëtarësimit në BE, në një frymë bipartizane./ (26shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.