Ky projekt, me vlerë 125 milionë euro për përmirësimin e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve në 6 bashki të Shqipërisë, nisi nga qyteti i Fierit, 110 kilometra në jugperëndim të Tiranës, me një ceremoni që bashkoi qeverinë shqiptare me partnerët që e mbështesin këtë përpjekje.

Arritja e standardeve të BE-së në menaxhimin e burimeve ujore nënkupton përmirësimin e kushteve të jetesës, krijimin e rrethanave për zhvillim ekonomik dhe në të njëjtën kohë mbrojtje për mjedisin.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Gjermaninë dhe Zvicrën si dhe në partneritet me qeverinë shqiptare, nisën projektin që pritet të përmirësojë më tej furnizimin dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

“Ky projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian është një mundësi për të risjellë ujin e pastër, për të siguruar përdorimin e qëndrueshëm të tij dhe për të rritur barazinë në shoqëri. Qasja në ujë të pastër dhe të sigurt është një e drejtë themelore e njeriut dhe ne jemi krenarë që ndihmojmë në zhvillimin e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të ujit”, tha gjatë ceremonisë ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.

Ambasada zvicerane bëri të ditur se me një kontribut prej 16 milionë eurosh, Zvicra thekson se forcimi i ndërmarrjeve të ujit si institucione ka po aq rëndësi sa investimet në infrastrukturë.

Rreth gjysmë milion qytetarë shqiptarë do të përfitojnë shërbime më të besueshme për ujin në këto 6 bashki./ (20 mars)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.