Gonzato: Konsolidimi i reformës në drejtësi, kyç për integrimin
Bashkimi Evropian mbështet fuqimisht përpjekjet e SPAK-ut në adresimin e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe takimi i kryetarit të SPAK, Altin Dumani me shefat e Misioneve të BE-së në Tiranë.
Dumani ndau arritjet e institucionit, ndërsa u diskutuan mënyrat për të ndihmuar SPAK-un në përmbushjen e mandatit dhe tejkalimin e sfidave me të cilat përballet.
“Konsolidimi i reformës në drejtësi mbetet kyç në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh ambassadori i BE-së, Silvio Gonzato./ (22 janar)
Mesazhi i BE për kryenegociatoren shqiptare: Nuk ka kohë për të humbur
Përshpejtimi i reformave të lidhura me BE-në nga Shqipëria duhet të jetë fokusi i përbashkët mes palëve pas procesit të suksesshëm të shqyrtimit analitik të legjislacionit.
Ky ishte mesazhi që përcolli kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato në takimin me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka.
“Për këtë ne kemi nevojë për lidership të fortë politik, një administratë publike solide dhe një angazhim proaktiv me të gjithë aktorët”, u shpreh Gonzato.
Ai garantoi ndihmën ndaj Shqipërisë për t’ia dalë me sukses kësaj sfide./ (22 janar)
BE, thirrje forcave politike në Shqipëri të punojnë së bashku për integrimin
Ambasadori i BE në Shqipëri, Silvio Gonzato u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike në Shqipëri të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në BE.
Gonzato u shpreh se zbatimi i reformave të nevojshme për anëtarësim në BE kërkon një parlament që funksionon efektivisht dhe një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet të gjitha institucioneve.
“Falë procesit të shqyrtimit, Shqipëria ka tashmë një pamje të qartë të reformave të nevojshme për anëtarësimin në BE. Zbatimi i këtyre reformave do të kërkojë një parlament që funksionon efektivisht dhe një bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet të gjitha institucioneve. Të gjitha forcat politike duhet të punojnë së bashku për axhendën e integrimit të vendit në BE, duke reflektuar vullnetin e fortë të qytetarëve shqiptarë për t’u anëtarësuar në BE”, u shpreh ambasadori i BE./ (22 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.