Pjesë e përpjekjeve të Bashkimit Evropian për mbështetjen e Shqipërisë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist është edhe ndërgjegjësimi i opinionit publik përmes historive të atyre që kanë vuajtur më së shumti.

Delegacioni i BE solli historinë e Jovan Plakut, i cili e pa imazhin e babait të tij për herë të parë në një fotografi të fshehur në një gardërobë të kyçur. Ai ishte 6 vjeç, nuk e kishte takuar kurrë, dhe në shtëpi nuk ia përmendnin kurrë emrin.

Jovani është djali i Koço Plakut, inxhinier i ekzekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri në vitin 1976, pas një procesi gjyqësor të njohur si “Grupi i naftës”, ku dy inxhinierë u dënuan me vdekje dhe gjashtë të tjerë me burgim.

I akuzuar për “sabotim në sektorin e naftës” dhe “agjitacion e propagandë”, trupi i Koço Plakut nuk iu dha kurrë familjes së tij pas ekzekutimit. Ai dhe bashkëshortja u divorcuan pas arrestimit të tij, për të shmangur dënimin dhe internimin e gruas dhe djalit të tyre. Për shkak të divorcit, Jovani dhe nëna e tij nuk u informuan kurrë zyrtarisht për fatin e Koço Plakut.

Koço Plaku është një ndër gati 6.000 personat e zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri. Nuk dihet numri i saktë, por organizatat vlerësojnë se janë rreth 6 000 shtetas shqiptarë që janë ekzekutuar, kanë vdekur në burgje apo kampe pune, eshtrat e të cilëve nuk u janë dhënë kurrë familjeve të tyre dhe as nuk janë gjetur pas rënies së regjimit. Ata u varrosën në vende të panjohura, ndonjëherë në varre masive pa shenja që do të identifikonin praninë e një varri.

Deri në vitin 2018, shumë familje kanë kërkuar privatisht eshtrat e të afërmve, madje disa kanë arritur t’i gjejnë. Mirëpo, mijëra të tjerë si Jovan Plaku nuk i kanë gjetur, me gjithë përpjekjet dhe kërkimet e tij 30-vjeçare në vende të ndryshme.

Ndërkaq, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) ka zbatuar dy projekte për një total prej rreth 1 milion euro kontribute nga ana e BE-së./ (12 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.