Projekti EU4InclusiveTeaching mbështet nxënësit që nuk dëgjojnë
Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë shkollat në Shqipëri duke financuar projekte që përmirësojnë drejtpërdrejt jetën e tyre.
Mbështetja e BE-së për Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë ka pasur një ndikim real në jetën e tyre.
Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato zhvilloi së bashku me autoritete shqiptare të fushës së arsimit, një vizitë në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë në Tiranë.
Projekti EU4InclusiveTeaching, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe i zbatuar nga OSFAlbania, jo vetëm që ka krijuar klasa më të mira dhe laboratorë modernë, por gjithashtu ka lejuar mësuesit të ndjekin trajnime nga ekspertë finlandezë për të siguruar që arsimimi gjithëpërfshirës të bëhet realitet në Shqipëri./ (15 shkurt)
Superti viziton Tiranën për herë të parë
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Valentina Superti përfundoi vizitën e saj të parë në Shqipëri.
Delegacioni i BE në Tiranë bëri të ditur se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur përparimin drejt anëtarësimit.
Në takimin me kryenegociatoren shqiptare, Majlinda Dhuka u shqyrtua puna në vazhdim për planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa në takimin me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u bisedua mbi perspektivat ekonomike dhe inovacionin, krahas ndërveprimeve të frytshme me investitorët dhe përfaqësuesit e biznesit.
Drejtoresha e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) Valentina Superti takoi edhe përfaqësues të organeve të vetting-ut në Tiranë.
“Është e rëndësishme të përfundojë vettingu dhe të vazhdojë zbatimi i reformës në drejtësi”, theksoi ajo./ (15shkurt)
Programi “BE për ekonominë qarkulluese” shtrihet në të gjithë Shqipërinë
Pas qytetit të Gjirokastrës, programi “BE për ekonominë qarkulluese” përfshiu këtë javë edhe bashkinë e Kukësit, 130 kilometa në verilindje të Tiranës.
Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve (EU4CE-ReWaM) nisi edhe në qytetin e Kukësit, përmes një aktiviteti të dedikuar.
Financuar plotësisht nga BE dhe zbatuar nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD), në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë, projekti prej 19 milionë eurosh do të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve në Kukës, Gjirokastër dhe Vlorë.
Programi do të mbështesë Shqipërinë në rritjen e riciklimit; krijimin e landfilleve dhe objekteve të mbetjeve në përputhje me BE-në dhe reduktimin e ndikimeve mjedisore të mbetjeve të ngurta.
Kjo nismë do të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat e prekura dhe do të mbështesë përafrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së./ (15 shkurt)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.