Autoritetet shqiptare dhe përfaqësues ndërkombëtarë diskutuan në Tiranë mundësitë që sektori i Arsimit dhe Formimit Profesional mund të krijojë në tregun e punës në Shqipëri dhe në ekonominë e vendit.

Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato theksoi mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në këtë sektor kyç.

“Prej vitesh Bashkimi Evropian ka mbështetur Strategjitë e Punësimit dhe Aftësive të Shqipërisë si dhe përpjekjet e saj për të rritur mundësitë e punësimit të denjë dhe gjithëpërfshirës për të gjithë gratë dhe burrat, veçanërisht për të rinjtë”, deklaroi Gonzato.

“Shqipëria ka të rinj shumë të talentuar, të cilët, megjithatë, vazhdojnë të mendojnë se duhet të largohen nga vendi nëse duan të realizojnë ambiciet e tyre”, theksoi ai duke shtuar se “bashkë me mbështetjen ndaj formimit profesional duhet luftuar edhe ndjenja e mosangazhimit dhe përjashtimit social”.

“Reformat përkatëse për zhvillimin e kapitalit njerëzor janë kyçe për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në”, tha Gonzato.

BE për Punësimin e Të Rinjve, BE për Të Rinjtë, BE për Përfshirjen në Tregun e Punës apo BE për Përfshirjen Sociale janë disa nga programet që kanë nisur në Shqipëri.

Ndërkohë, kryeministri shqiptar, Edi Rama tha në takim se vendi po vuan problemet demografike që krijojnë mungesa në fuqinë e krahut të punës, por sipas tij, “Shqipëria po vuan aktualisht më së shumti kualifikimin për profesione të kërkuara në treg”.

Rama kërkoi që edhe sipërmarrja të përfshihet në financimin e arsimit profesional.

Ai falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e dhënë ndaj ngritjes dhe optimizimit të formimit profesional te të rinjtë./ (1 prill)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.