”Transport i Gjelbër Tirana” është projekti që do të modernizojë transportin publik në kryeqytetin e Shqipërisë.
Bashkimi Evropian, së bashku me Gjermaninë dhe Bashkinë e Tiranës kanë bashkuar forcat për të zhvilluar, zbatuar dhe vënë në funksionim të sistemit të parë elektrik të transportit të shpejtë të autobusëve në Tiranë, në tre nga linjat kryesore, që janë Unaza, Tirana e Re dhe Kombinat-Kinostudio.
Projekti do të përmirësojë ofrimin e shërbimeve në transportin publik dhe do të reduktojë emetimet e dyoksidit të karbonit duke kontribuar kështu në objektivat e mbrojtjes së klimës dhe mjedisit.
Gjatë paraqitjes së projektit morën pjesë autoritetet e larta vendore të kryeqytetit shqiptar si dhe përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Evropian dhe ambasadës gjermane në Shqipëri.
Projekti parashikon rimodelimin e 145 stacioneve urbane me tabelat elektronike, me oraret e parashikuara për çdo autobus.
“Vizioni i një qyteti nuk është që çdo njeri, qoftë edhe ai me ndihmë ekonomike, të blejë një makinë, por vizioni i një qyteti është që edhe i pasuri të përdorë transportin publik”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato u shpreh se BE dëshiron ta bëjë Tiranën një qytet më të jetueshëm me transport publik më të shpejtë, më të pastër dhe më efikas.
“Unë jam krenar që bashkë me Gjermaninë dhe kryebashkiakun Veliaj nisëm sot këtë projekt. Së bashku mund të ndihmojmë Shqipërinë të arrijë objektivat e saj klimatike më shpejt” , u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato./ (11 mars)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.