Bashkimi Evropian mbështet zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri
Bashkimi Europian mbështet zhvillimin e ekonomisë qarkulluese në Shqipëri, si një sektor kryesor për të ardhmen e qëndrueshme të vendit.
Sipas një njoftimi të zyrës së Delegacionit të BE-së në Tiranë “duke ricikluar dhe ripërdorur mbetjet, ne mund të ulim ndikimin tonë mjedisor dhe të krijojmë mijëra vende të reja pune”.
Objektivi i përgjithshëm i kësaj mbështetje është të kontribuojë në përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese.
Projekti mbështet tranzicionin drejt një ekonomie rrethore dhe rritjes së gjelbër në Shqipëri nëpërmjet një kuadri rregullator të përmirësuar, me kapacitete institucionale të forcuara dhe duke ofruar modele të gjelbra të biznesit.
Aksioni mbështet qeverinë e Shqipërisë në arritjen e objektivave kyç në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes së gjelbër ekonomike, konkretisht, përshpejtimin e transformimit në një ekonomi rrethore, përmirësimin e efikasitetit të energjisë, kontributin në krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e shëndetit të qytetarëve./ (26 dhjetor)
BE prezanton projektin për ekonominë qarkulluese
Më 14 nëntor, Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) prezantuan projektin e ri “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Ekonomia Qarkulluese për Zhvillimin Urban të Qëndrueshëm”.
Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri tha se “menaxhimi i mbetjeve është thelbësor në kalimin drejt një të ardhme më të shëndetshme dhe më të pastër. Sot në Shqipëri, vetëm 76% e mbetjeve shtëpiake mblidhen çdo vit, dhe vetëm 18% riciklohet. Duke përpunuar dhe ripërdorur këto mbetje, ne jo vetëm mund të zvogëlojmë ndikimin në mjedis, por gjithashtu mund të krijojmë dhjetëra-mijëra vende të reja pune. BE, si udhëheqësi global i mjedisit është e lumtur të mbështesë Shqipërinë në zhvillimin e ekonomisë qarkulluese, për të përmirësuar jetesën e shqiptarëve në perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”.
Ndërsa Marion Fleuth-Leferink nga ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), theksoi se “zbatimi i parimeve të ekonomisë qarkulluese në menaxhimin e mbetjeve do të zvogëlojë përdorimin e burimeve natyrore dhe do të nxisë një ekonomi të fortë dhe ripërtëritëse, duke krijuar vende të reja pune në vend”.
Projekti po zbatohet nga GIZ Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë.
Me një kohëzgjatje 3,5 vite dhe financim prej 14,6 milionë euro, projekti do të ndihmojë Shqipërinë të zvogëlojë mbetjet dhe të kalojë drejt modelit të ekonomisë qarkulluese përmes zhvillimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor për menaxhimin e mbetjeve në përputhje me standardet e BE-së, përfshi trajnimin për zbatimin dhe monitorimin; prezantimit të modeleve të biznesit të gjelbër Përgjegjësinë e Zgjeruar të Prodhuesit (EPR) për tri rryma mbetje; mbështetjes së masave të ekonomisë qarkulluese në 15 bashki partnere, për shërbimet e menaxhimit të mbetjeve, zhvillimit dhe përmirësimit të masave ricikluese si Impiante Kompostimi dhe Trajtimi të Mbetjeve./ (26 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.