EU4Culture financon restaurimin e ish-arqipeshkvisë së Durrësit
Restaurimi i ish-arqipeshkvisë së Durrësit ka përfunduar me sukses, falë programit EU4Culture.
Kjo ndërtesë historike, tashmë, do t’i shërbejë komunitetit katolik, duke u bërë gjithashtu një pikë referimi e rëndësishme kulturore për banorët e bashkisë Kurbin.
“Krenar që shoh një tjetër objekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore shqiptare të restaurohet falë mbështetjes së BE-së. Puna po vazhdon në monumente të tjera kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019”, tha shefi i Bashkëpunimit në delegacionin e BE-së në Tiranë, Hubert Perr.
Projekti EU4Culture financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNOPS në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë shqiptare të Kulturës.
Projekti fokusohet në riparimin dhe rivitalizimin e lokacioneve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në Shqipëri, me një buxhet prej 40 milionë eurosh./ (31 tetor)
EU4 Culture aktivitete edukative dhe argëtuese në Ditën e OKB-së
Programi EU4Culture i financuar nga BE-ja u bë pjesë e Ditës së OKB-së me një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese në sheshin “Skënderbej”.
Vizitorët e stendës së UNOPS/EU4Culture patën mundësi të njihen me artet dhe zanatet tradicionale duke u angazhuar në diskutime me artizanët e Krujës, të cilët ndanë përvojat e tyre me mjetet e promovimit të mediave sociale dhe dixhitale të mësuara përmes trajnimit të EU4Culture.
Për fëmijët ishte menduar pjesëmarrja në seminare dhe master klasa për qëndisje dhe qeramikë, si dhe loja e dyshemesë së Trashëgimisë Kulturore. Ata fiksuan momente të gëzueshme në fotografi përmes një zone fotografike me kostume tradicionale shqiptare.
Ekipi i EU4Culture po ashtu tregoi përvojën rreth restaurimit të Mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar dhe paraqiti një rast suksesi studimi mbi promovimin e turizmit kulturor, nxitjen e ekonomisë lokale dhe gjenerimin e mundësive të reja të të ardhurave për artizanët krutanë dhe komunitetet lokale nëpërmjet programi EU4Culture Grants./ (31 tetor)
EU4Culture edhe në Shkodër
EU4Culture organizoi në qytetin e Shkodrës, 90 kilometra në veriperëndim të Tiranës, një aktivitet ku artizanët mirditorë kanë shfaqur kostume të punuara me dorë, duke i kaluar brezit të ri mjeshtërinë e tyre shekullore të qëndisjes tradicionale.
“As shiu nuk mundi të na e zbehte shpirtin”, citoi EU4Culture njërin prej tyre ndërsa përcolli momente nga aktiviteti.
I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci i cili iu bashkua fëmijëve pjesëmarrës gjatë masterklasave të qeramikës dhe qëndistarisë.
Bashkia Shkodër dhe UNICEF nënshkruan gjatë kësaj dite edhe një marrëveshje që i hap rrugë krijimit të hapësirave inovative “Bibliotech” në mjediset e Qendrës Rinore “Atelie” dhe bibliotekës publike të Shkodrës./ (31 tetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.