BE lançon Platformën e Angazhimit Konstruktiv
Delegacioni i Bashkimit Evropian njoftoi se nisi së bashku me shoqërinë civile dhe autoritetete publike, Platformën e Angazhimit Konstruktiv.
Kjo platformë mundëson dialog mbi politikat për përfshirjen e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri.
“Projekti ynë i financuar nga BE ‘Arsimi Gjithëpërfshirës dhe Punë’ kërkon të krijojë mundësi arsimimi dhe punësimi për romët dhe egjiptianët në Shqipëri duke zhvilluar modele të suksesshme që kontribuojnë në një shoqëri më gjithëpërfshirëse”, tha Hubert Perr, shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së.
Sipas tij, BE-ja është fuqimisht e përkushtuar ndaj diversitetit, përfshirjes dhe mundësive të barabarta për të gjithë./ (4 dhjetor)
“Rural-You” – BE mbështet projektin për fuqizimin e të rinjve
Falë mbështetjes nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Rural-You”, Anjeza Zmakaj nga Fushë Arrëzi, 50 kilometra në verilindje të Tiranës, ka pasion rritjen e bletëve. Vizioni i saj shtrihet përtej prodhimit të mjaltit ndërsa projekti mbështet përfshirjen e të rinjve në zhvillimin e fshatit.
Shqipëria ka ndër popullatat më të reja në Evropë. Orientimi i të rinjve në sektorë si ai i bujqësisë dhe zhvillimit rural mbetet kritik për qëndrueshmërinë e zhvillimit të përgjithshëm.
Objektivi kryesor i projektit të mbështetur nga BE, “Rural-You” është rritja e interesit dhe kontributit të të rinisë në zbatimin nga Shqipëria të axhendës së pranimit në fushat e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Objektiva specifikë mbeten tërheqja e të rinjve në pjesëmarrje në jetën sociale, ekonomike dhe politike të komuniteteve të largëta rurale në verilindje të Shqipërisë, në rajonet e Shkodrës, Kukësit dhe Dibrës./ (4 dhjetor)
BE nxit diskutimet për të ardhmen e qëndrueshme mjedisore në Shqipëri
Delegacioni i Bashkimit Evropian zhvilloi në bashkinë e Laçit, 60 kilometra në verlindje të Tiranës, diskutimin për ndërtimin e një të ardhmeje të qëndrueshme mjedisore, ku u eksploruan pasojat e gjera të ndotjes në ekosistemet dhe shëndetin e njeriut, duke hedhur dritë mbi rolet vendimtare të individëve, bizneseve dhe qeverive në trajtimin e kësaj çështjeje urgjente.
“Rivendosja e biodiversitetit, mbrojtja e burimeve natyrore dhe fuqizimi i qytetarëve janë në krye të agjendës së Bashkimit Evropian. Evropa është këtu për të ecur me bisedat për ta sjellë Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane në Shqipëri”, tha i Ngarkuari me Punë i BE-së në Shqipëri, André Rizzo.
Bashkimi Evropian tani po ndihmon Shqipërinë me 44 milionë euro përmes katër programeve të reja për Lumenjtë, Natyrën dhe Ekonominë Qarkulluese.
120 persona nga të gjitha fushat e jetës të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit, grumbulluam rreth 1 ton mbeturina në brigjet e lumit Mat në nismën e ndërmarrë nga delegacioni i BE-së në Shqipëri./ (4 dhjetor)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.