Zjarret e fuqishme që përfshinë Shqipërinë midis datave 21 dhe 31 korrik 2025 bënë që vendi të aktivizonte Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Sipa delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, gjatë kësaj periudhe, gjashtë vende, përfshirë Shqipërinë, u përballën me zjarre të rënda dhe aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

Në përgjigje të kërkesës për ndihmë, Bashkimi Evropian mobilizoi avionë zjarrfikës, helikopterë, ekipe nga terreni dhe mbështetje satelitore nga e gjithë Evropa, për të ndihmuar në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura.

Në Shqipëri u angazhuan avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Kroacia, helikopterë nga Hungaria, si dhe mbështetje me imazhe satelitore përmes sistemit Copernicus.

“Ky reagim i shpejtë dhe i koordinuar dëshmon përkushtimin e palëkundur të Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë vendeve partnere në momente sfiduese — duke ofruar jo vetëm mjete dhe kapacitete, por edhe solidaritet, bashkëpunim dhe mbështetje afatgjatë|, thuhet në postimin në rrjetet sociale të delegacionit të BE-së në Tiranë.

Ndërhyrja e përqendruar e trupave të mbrojtjes civile në Shqipëri favorizuar edhe nga ulja e temperaturave dhe shirat lokalë bëri që zjarret të vendosen në kontroll dhe të shtuhen pothuajse në të gjithë vendin. (1 gusht)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.