Ky projekt do të rrisë kapacitetet e riciklimit
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, së bashku me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe ambasadën franceze në Tiranë përuruan nisjen e projektit të BE për Ekonominë Qarkulluese – Programi Rajonal i Menaxhimit të Mbetjeve, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Një investim prej 19 milionë eurosh, i zbatuar nga AFD, i cili ndihmon në uljen e ndikimit mjedisor dhe në shëndet të mbetjeve të ngurta në zonat e Kukësit, Gjirokastrës dhe Vlorës.
Projekti do të rrisë kapacitetet e riciklimit për të reduktuar vëllimet e mbetjeve dhe për të krijuar landfille dhe objekte të reja të mbetjeve në përputhje me standardet e BE-së.
Do të krijohen vende të reja pune dhe më shumë të ardhura, ndërsa 190 000 persona do të përfitojnë nga një mjedis më i pastër./ (18 janar)
Gonzato: Respektimi i standardeve mjedisore të BE-së, detyrë sfiduese e integrimit
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi se programi është një moment historik i rëndësishëm drejt zbatimit të reformave në përputhje me BE-në.
“Në procesin e negociatave të anëtarësimit që Shqipëria do të nisë edhe respektimi i standardeve mjedisore të BE-së që është një nga detyrat më sfiduese. Arsyeja për këtë është se nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e legjislacionit. Ajo kërkon gjithashtu investime të konsiderueshme, një ndryshim të politikave publike, si dhe ndryshime në mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe sillen. Projekti që ne nisim sot dëshiron të kontribuojë në këtë ndryshim politik dhe shoqëror”, u shpreh ambasadori i BE-së./ (18 janar)
Kumbaro: Mjedisi mbetet prioritet për qeverinë shqiptare
Ministrja shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro theksoi rëndësinë e koordimit në nivel vendor pë zbatimin e këtij programi kyç në përputhje me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve të Shqipërisë.
“Për qeverinë shqiptare çështja e mjedisit është një prioritet absolut i mandatit të tretë. Është prioritet së bashku me turizmin dhe unë besoj se me këtë program në qarkun e Gjirokastrës ne kemi kombinimin më të mirë, por gjithashtu edhe sfidën më të madhe”, u shpreh ajo.
Kumbaro njoftoi gjithashtu se qeveria shqiptare po krijon një agjenci të re për ekonominë e mbetjeve e cila do të jetë koordinatore e projekteve pranë ministrisë qoftë të programit IPA, ashtu edhe të projekteve të tjera që ka me Bankën Gjermane për Zhvillim, KfW, në zona të tjera të Shqipërisë./ (18 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.