Policia në Shqipëri ka përfituar një paketë të re pajisjesh bashkëkohore, si pjesë e projektit EU4FAST – “Mbështetja e BE-së për forcimin e luftës kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor”, i cili financohet nga Bashkimi Europian, qeveria gjermane, Ministria e Brendshme italiane dhe Ministria e Jashtme holandeze.

Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u dorëzuan lexues pasaportash, lexues dokumentash dhe detektorë modernë, të cilët do të shërbejnë në forcimin e kapaciteteve operative për menaxhimin e kufijve dhe identifikimin e rasteve të trafikimit.

Pajisjet u dorëzuan nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karlfried Bergner, dhe përfaqësuesja e delegacionit të BE-së në Tiranë, Francesca Varlese.

Ceremonia u ndoq nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Saimir Muçaj, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, oficerë ndërlidhës të Policisë Federale Gjermane dhe përfaqësues të Projektit EU4FAST.

Zëvendësdrejtori i policisë shqiptare shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve europianë në modernizimin e strukturave të Policisë së Shtetit. Ai theksoi se pajisjet e reja do të përdoren menjëherë nga strukturat e Kufirit dhe Migracionit, duke shtuar se ato do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në parandalimin dhe goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore dhe migracionit të paligjshëm.

Gjatë ceremonisë, ambasadori Bergner u shpreh se dorëzimi i pajisjeve përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit.

“Ky moment është më shumë sesa dorëzimi i pajisjeve teknike. Ai është një sinjal i fortë i angazhimit tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar. Gjermania mbetet e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë dhe rajonin në përmirësimin e menaxhimit të kufijve dhe mbrojtjen e njerëzve vulnerabël”, tha Bergner.

Ndërsa përfaqësuesja e BE-së, Francesca Varlese, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër krimeve që prekin migrantët.

“Kontrabandimi i migrantëve dhe trafikimi i qenieve njerëzore janë krime që shfrytëzojnë më të cenueshmit. BE-ja ka qëndruar gjithmonë në krah të Shqipërisë, duke ofruar mbështetje financiare, ekspertizë dhe trajnime për forcimin e kapaciteteve të autoriteteve vendase”, shtoi Varlese.

Projekti EU4FAST synon të rrisë efektivitetin e institucioneve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke forcuar bashkëpunimin ndërkufitar, duke mbështetur modernizimin e pajisjeve dhe duke kontribuar në luftën kundër krimeve që prekin sigurinë dhe stabilitetin rajonal. (5 dhjetor)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.