BE më shumë se 250 milionë euro fonde para-anëtarësimi për Shqipërinë
Bashkimi Evropian, gjatë dy viteve të fundit ka dhënë më shumë se 250 milionë euro financime, si pjesë e fondeve të para-anëtarësimit për programet kombëtare në Shqipëri.
Nga statistikat e delegacionit të BE-së në Tiranë duket se Bashkimi Evropian është partneri më i madh i asistencës financiare për Shqipërinë.
Totali i investimeve të huaja direkte të BE-së arrijnë në 11 miliardë euro në vitin 2022, ndërsa vëllimi total i tregtisë në mallra me BE-në shënon 7,1 miliardë euro në vitin 2022.
Krahas programeve ekonomike, BE i kushton një vëmendje të madhe kapitalit njerëzor.
Në këtë kuadër BE është fokusuar në mbështetjen për rininë, arsimin dhe inovacionin. Të paktën 11 500 pjesëmarrës morën pjesë në shkëmbimet mes BE dhe Shqipërisë në fushën e arsimit, trajnimit dhe rinisë e sportit në kuadër të ERASMUS 2014-2020./ (11 janar)
Eu4Culture mbështet hapjen e ekspozitës për Mirditën
Programi EU4Culture I financuar nga Bashkimi Evropian dha mbështetje për hapjen e një ekspozite 7-ditore ku shfaqet kultura e pasur e Mirditës, rreth 90 kilometra në verilindje të Tiranës, një zonë mjaft piktoreske dhe me tradita.
Ekspozita që përmban fotografi dokumentare, instalacione nga burgu famëkeq i epokës komuniste i Spaçit dhe punime tradicionale zejtarie, është pjesë e përpjekjeve në përkrahje të promovimit të diversitetit kulturor në Mirditë, si një infrastrukture themelore për të mundësuar zhvillim të turizmit kulturor që kontribuon në përparimin e ekonomisë lokale.
Ekspozita u prezantua në kuadër të projektit të grantit “Promovimi i Trashëgimisë Kulturore Përmes Turizmit Kreativ dhe Eksperimental”./ (11 janar)
Nisin procedurat për restaurimin e Muzeut Historik të Tiranës nga program Eu4Culture
Muzeu Historik Kombëtar, ku ruhen mijëra artefakte, do të restaurohet nga programi EU4Culture.
Nisja e procedurave erdhi pas konsultimeve publike të organizuara me praninë e arkitektëve, historianëve dhe specialistëve të muzeologjisë.
Përfaqësuesi i studios “Casanova + Hernandez architects”, Jesus Hernandes prezantoi projektkonceptin museal të MHK, ndërsa arkitekti Gent Agolli nga studio “I RI” përshkroi të gjitha ndërhyrjet restauruese dhe përforcuese të godinës, e cila pësoi dëmtime nga tërmeti i vitit 2019.
Ky muze, më i rëndësishmi dhe më voluminozi për nga hapësira ekspozuese në Shqipëri, është një nga kantieret më sfiduese./ (11 janar)
Kjo përmbledhje është përzgjedhje e redaktorit të lajmeve të ATSH-së lidhur me Evropën. ATSH është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi. Publikohet çdo të hënë dhe të enjte.