540 të rinj shqiptarë të moshës nga 15-29 vjeç kanë aplikuar për skemën Garancia Rinore si pjesë e projektit “BE për rininë”. Projekti synon të përmirësojë punësueshmërinë e të rinjve, trajnimin dhe arsimin e tyre.

Garancia Rinore, e udhëhequr nga Agjencia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë, është një nismë kyçe e BE-së për të reduktuar papunësinë e të rinjve, duke garantuar që të rinjtë nën 30 vjeç të marrin mundësi cilësore pune, arsimi apo trajnimi brenda katër muajve nga regjistrimi në zyrat e punësimit.

Në Shqipëri ajo po pilotohet që nga tetori 2023 në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Zyrat e punësimit shërbejnë si ndalesa e parë në një proces që fillon me këshillim dhe udhëzim për t’i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë mundësitë, kapacitetet dhe kufizimet e tyre. Në varësi të interesave dhe aftësive të tyre, ata mund të orientohen drejt kurseve profesionale, trajnimeve të mëtejshme, kualifikimeve apo arsimit universitar. Më pas ata orientohen drejt mundësive të punësimit ose u ofrohen grante për nismat e tyre, bazuar në një vlerësim individual rast pas rasti.

Gjatë vitit të parë të fazës pilot të programit, nga 540 të rinjtë që aplikuan, pothuajse gjysma kanë pasur një “rezultat pozitiv”, që do të thotë se ose kanë gjetur punë ose kanë ndjekur kurse të formimit profesional.

Programi synon koherencën dhe koordinimin e politikave – bazuar në partneritete të ndryshme – për të “garantuar” një ofertë cilësore brenda katër muajve, monitorim të vazhdueshëm dhe përdorim efektiv të burimeve financiare vendase dhe ndërkombëtare.

“BE për rininë” është një projekt i financuar nga BE-ja, i cili rrit kapacitetet ndërinstitucionale për të zbatuar dhe qeverisur në mënyrë efektive Garancinë Rinore në Shqipëri. I vënë në zbatim nga UNDP dhe UNICEF, projekti pritet të ketë si synim 17.000 të rinj të regjistruar në Eos publike, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara të punësimit nëpërmjet instrumenteve miqësore me të rinjtë. (13 shkurt)

ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.