Delegacioni i Bashkimit Europian përgëzoi Shqipërinë për arritjet e evidentuara nga “OECD IN 2024” në disa fusha si antikorrupsioni, arsimi dhe punësimi.
Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në konferencën për gjetjet e raportit të OECD mbi Konkurrueshmërinë për Ballkanin Perëndimor 2024, që është një pasqyrë e progresit të realizuar nga Shqipëria, matur nga një barometër prej 15 komponentësh kryesor dhe 440 treguesish cilësor e sasior.
BE vuri në dukje se politikëbërësit shqiptarë duhet të dyfishojnë përpjekjet në fushat ku progresi ka mbetur prapa, si për shembull në menaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore, ose në rritjen e shpenzimeve për teknologjinë, kërkimin dhe inovacionin.
Sipas OECD IN 2024 Shqipëria shënon rezultate mbi mesataren rajonale në disa fusha si antikorrupsioni, arsimi dhe punësimi.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato deklaroi se perspektiva e Konkurrueshmërisë nënvizon qartë se ka shumë potencial të pashfrytëzuar për bashkëpunim rajonal në të gjithë Ballkanin Perëndimor. “Plani i Rritjes së BE-së synon të ofrojë stimuj të rinj në këtë fushë”, theksoi Gonzato/ (4 shtator)
ATA është përgjegjëse për redaktimin e këtij publikimi.